Partia në pushtet e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), njoftoi të shtunën herët se u ka kërkuar dy partive më të mëdha opozitare në vend, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), t’i paraqesin së bashku tre kandidatë jopartiakë për presidentin e ardhshëm të Kosovës, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e parakohshme.
Thirrja e partisë në pushtet të shtunën – e cila sipas saj vlen deri të dielën në mbrëmje – vjen teksa një afat kushtetues për zgjedhjen e presidentit mbaron të martën.
LVV theksoi në Facebook se do t’i tërhiqte kandidatët e vet – zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca, dhe deputeten Fatmire Mulhaxha-Kollçaku – nga gara për president, nëse dy partitë opozitare i sjellin tre emrat e kërkuar.
Ajo shkroi se ky vendim u mor gjatë një mbledhjeje të Kryesisë së partisë të premten mbrëma.
“Ftojmë PDK-në dhe LDK-në që së bashku të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet Presidenti i ri nga legjislatura e 10-të”, shkroi ajo.
Ajo tha se që të tre kandidatët duhet të jenë “figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike”.
“Një zgjidhje duhet të gjendet, sepse ajo është e mundshme. Duhet të përpiqemi dhe angazhohemi së bashku, sepse është detyrë e jona që buron nga përgjegjësia që na e kanë bartur qytetarët e Republikës së Kosovës”, shkroi LVV-ja.
Kjo vjen pas dështimit të bisedimeve mes Kurtit dhe liderëve opozitarë, Bedri Hamzës së PDK-së dhe Lumir Abdixhikut të LDK-së, të cilët nuk i kishin pranuar propozimet e kryeministrit.
Kurti i kishte ofruar LDK-së postin e zëvendëskryeministrit dhe katër ministri, ndërsa në një ofertë të dytë postin e kryeparlamentarit. PDK-së, ai ia kishte ofruar postin e kryeparlamentarit po ashtu.
Kryeministri e ka përsëritur se oferta e tij e hedhur poshtë ishte “gjeneroze” dhe ka paralajmëruar zgjedhje të njëpasnjëshme, nëse s’ka marrëveshje për president.
Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para të votimit, apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.
Prandaj, nevojitet një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, duke qenë se asnjëra parti – madje as ajo në pushtet e Kurtit me 57 deputetë – nuk e ka një numër kaq të madh deputetësh në Kuvendin me 120 vende.
Një afat kushtetues për zgjedhjen e presidentit skadon më 28 prill dhe nëse deri atëherë nuk zgjidhet një president, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.
Ndërkohë, pasi Vjosa Osmanit i mbaroi mandati në fillim të muajit dhe vendi nuk arriti ta emërojë zëvendësuesin e saj, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u emërua ushtruese e detyrës së presidentit më 4 prill.
Përpjekjet e mëparshme për presidentin e ri të vendin dështuan pasi asnjëra palë nuk u duk e gatshëm të bëjë lëshime.
Në një seancë më 5 mars, partia në pushtet i kishte paraqitur për votim Konjufcën dhe Kollçakun, por seanca s’u mbajt në mungesë kuorumi, pasi opozita braktisi sallën.
Më 6 mars, ish-presidentja Vjosa Osmani nxori një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo nuk e siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim.
Dekreti u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese pas ankesës nga Qeveria.
Gjykata më e lartë në Kosovë tha se dekreti nuk kishte asnjë efekt juridik dhe e përcaktoi 28 prillin si afat të fundit për zgjedhje të presidentit. REL