Një foto e tij u gjet në celularin e Dumanit, ish-zv.drejtori i policisë dëshmon te “Plumbi i Artë”: Mora mbrojtje për 2 vite nga shteti

Është zbardhur dëshmia e ish-zv.drejtorit të Policisë së Elbasanit, Krenar Guçe në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) për dosjen “Plumbi i artë”.

Guçe ka treguar në gjyq se Drejtori i Pergjithshëm i Policisë së Shtetit në atë kohë, Gledis Nano e kishte informuar se persona të caktuar kanë pasur qëllime dashakeqe ndaj tij.

Ai ka thënë se ka marrë mbrojtje për 2 vite nga shteti pasi fotografia e tij është gjetur në telefonin e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani.

Ndërkohë i pyetur se përse nuk ka referuar tek prokurori, për personin që do mbikëqyrej nga ana e tij, ai ka thënë se ishte çdo gjë sekret hetimor.  

Avokati i Fatos Gosës: Ju kanë kërcënuar gjatë ushtrimit të detyrës?

Krenar Guçe: Gjatë kryerjes së detyrës, më ka thirrur ish-drejtori i përgjithshëm Gledis Nano dhe më është bërë me dije se persona të caktuar kanë pasur qëllime dashakeqe ndaj meje, kanë pasur foton time në telefon dhe për këtë arsye unë kam pasur mbrojtje nga shteti për 2 vite. Në 5 nëntor 2021 kam pësuar një aksident, theva këmben. Qëndrova 6 muaj me raport. Nuk më është dhënë shpjegim se kur ishte bërë kërcënimi. Fotoja ime ishte gjetur tek telefoni i Dumanit. Shteti shqiptar më ka dhënë mbrojtje.

Avoakti, pasi lexon një procesverbal të këqyrjes së hyrjes në Shqipëri nga Rinasi dhe vajtjes në një hotel të Hajdar Bako Çopja në dhjetor 2019: Përse nuk i keni referuar prokurorit emrin e personit që keni këqyrur lëvizjet, Hajdar Bako Çopja?

Guçe: Procesverbali është i qartë. Ka qenë sekret hetimor. Po ta shikoni në dosje, do ta gjeni edhe procesverbalin që ia kam referuar prokurorit.

Avokati: A keni bërë ndonjeherë kontrolle për Talo Çelën në shtëpinë e Fatos Gosës.

Guçe: Nuk më kujtohet nëse kemi bërë kërkime për shtetasin Talo Çela në shtëpinë e Fatos Gosës.