Protesta e opozitës një ditë më parë u shoqërua me tensione te forta dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Menjëherë sapo kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha mbylli fjalën, protestuesit hodhën molotovë e fishekzjarrë para Kryeministrisë.
Ndërkohë i menjëhershëm ishte edhe reagimi i policisë për shpërndarjen e tyre.
Sasi e madhe uji, gazi lotsjellës dhe spray me piper u hodh ndaj protestuesve, ku disa prej tyre u lënduan, përfshirë dhe deputetë të PD, si Luçiano Boçi, Flamur Noka, Klevis Balliu si dhe aktivisti Aulon Kalaja.
Pas hedhjes së molotovëve jashtë Kryeministrisë, protestuesit tentuan të largoheshin drejt godinës së Kuvendit. Policia u kundërpërgjigj me ujë, ndërsa protestuesit nuk kanë mundur të shkojnë pranë Kuvendit.
Aulon Kalaja bashkë me Boçin dhe Balliun u dërguan në spital pasi nuk u ndjenë mirë, teksa më vonë u vizituan nga kryedemokrati Berisha, i cili mbajti edhe një komunikim për gazetarët jashtë QSUT-së, ndërsa hodhi akuza në drejtim të Drejtorit të Përgjithëm të Policisë së Shtetit.
“Janë përdorur helme dhe substanca që përbëjnë, janë krime në konventa. Për verbimin e protestuesve janë përdorur helmet që përdoren kundër arinjve. Po, janë helme që janë përdorur dhe përdoren kundër arinjve për t’i verbuar, arinjtë. Dhe është ky një akt i paprecedent. Kanë përdorur sasi të mëdha ndaj Luciano Boçit, ndaj Klevis Balliut, Ivi Kasos, kanë përdorur dhe ndaj Flamur Nokës, kanë përdorur dhe Blendi Himçit dhe një seri protestuesish demokratë të cilët janë të shtur këtu. Preng Lala, Zamir Roshi. Kurse ndaj gazetarit, veprimtarit të shquar të shoqërisë civile dhe anëtarit të Këshillit Kombëtar, Aulon Kalaja, kanë përdorur, përveç verbuesit të arinjve, kanë goditur me shkop mbrapa në pjesën oksipitale, një pjesë jashtëzakonisht delikate për jetën e njeriut. Janë përdorur bomba, u janë hedhur protestuesve te këmbët bomba, granata zhurmuese, me copa të të cilëve janë plagosur, kanë marrë plagë të shumta në këmbë, dhe kanë hedhur shishe molotov mbi protestuesit. Të dokumentuara të gjitha këto”, tha Berisha.
Ndërkohë raportohet se 11 persona janë arrestuar nga blutë e Tiranës ndërsa 22 të tjerë u shoqëruan në komisariat.