Sot protesta e opozitës, këto janë rrugët që do të bllokohen

Opozita do të mbajë sot protestën e radhës në Tiranë, ku qytetarët do të mblidhen para Kryeministrisë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama.

Protesta do të fillojë në orën 19:00, por nuk ka një orar se kur do të përfundojë. Ndryshe nga herët e fundit, në këtë protestë do të rikthehen fjalimet, teksa fjalën para protestuesve do ta mbajë edhe kryedemokrati Sali Berisha.

Policia e Shtetit ka njoftuar se për shkak të protestës do të bllokohen disa akse rrugore në disa zona të Tiranës.

Sipas njoftimit, nga ora 15:00 deri në përfundim të protestës, do të mbyllen përkohësisht rrugët kryesore të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, nga “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II”, dhe “Ismail Qemali”.

Në varësi të zhvillimit të protestës, thotë policia, mund të ketë kufizime të tjera në rrugë të tjera.