Ministrat Ermal Nufi dhe Mirela Kumbaro i shmangen interpelancave urgjente, për herë të parë edhe Peleshi bie dakort me opozitën

Në rendin e ditës së seancës plenare të ditës së sotme në Kuvendin e Shqipërisë, ishin parashikuar të zhvilloheshin dy interpelanca urgjente, me ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi dhe me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaron.

Por, çuditërisht asnjëri prej tyre nuk u shfaq ditën e sotme në Kuvend, teksa ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, tha se këto interpelanca do të shtyheshin për seancën e ardhshme.

Sipas saj, ministri Nufi mungonte sot për shkak se ishte në një takim zyrtar jashtë vendit, ndërkohë që ministrja Kumbaro nuk ishte e pranishme pasi po merrte pjesë në finalen e konkursit të Gjuhës Shqipe.

Por, arsyeja që dha për ministren Kumbaro nuk u mirëprit nga opozita, teksa edhe kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, për herë të parë u dakordësua me deputetët e opozitës, duke u shprehur se interpelancat urgjente prevalojnë mbi aktivitetet e tjera.

Kjo nuk është hera e parë që ministrat e qeverisë i shmangen interpelancave. Prej kohësh ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, nuk ka shkelur në Kuvend dhe nuk u përgjigjet kërkesave për interpelancë, teksa shfaqet në takime të ndryshme pothuajse çdo ditë.

Për të mos folur për kryeministrin Rama, që interpelancën e fundit nuk dihet se kur e ka zhvilluar.