Rusia ka ndërmarrë një nga valët më të mëdha të sulmeve me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës gjatë këtij viti, duke lënë të paktën 16 persona të vrarë dhe mbi 100 të plagosur në të gjithë vendin, njoftuan autoritetet ukrainase.
Sipas autoriteteve lokale dhe Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës, mes viktimave është edhe një fëmijë, ndërsa 118 persona janë plagosur si pasojë e sulmeve që dëmtuan ndërtesa dhe shkaktuan zjarre në disa qytete.
Forcat Ajrore të Ukrainës bëjnë të ditur se Rusia ka lëshuar 659 dronë dhe 44 raketa brenda 24 orëve, duke goditur qytete të mëdha si kryeqyteti Kievi, Harkivi, Odesa, Dnipro dhe Zaporizhzhia.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, e cilësoi sulmin si një “akt masiv terrorist”, duke theksuar se objektivi kryesor ishin civilët. “Gjatë ditës dhe natës së kaluar, Rusia kreu një sulm masiv ndaj Ukrainës me pothuajse 700 dronë dhe dhjetëra raketa balistike e lundruese,” deklaroi ai.
Në Kiev, katër persona humbën jetën, përfshirë një djalë 12-vjeçar, trupi i të cilit u gjet nën rrënojat e një ndërtese të shkatërruar. Të paktën 48 persona u plagosën në kryeqytet.
Një drejtues i një kompanie ndërtimi në Kiev tha se një nga goditjet ndodhi shumë pranë një kantieri ndërtimi, duke plagosur gjashtë punëtorë, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Në Odesa, të paktën tetë persona u vranë, ndërsa pamjet e publikuara nga shërbimet emergjente tregojnë një ndërtesë të përfshirë nga flakët dhe ekipet e shpëtimit që transportojnë të plagosurit.
Një përfaqësues i Akademisë Kombëtare të Muzikës në Odesa bëri të ditur se një nga konviktet është dëmtuar rëndë. Studentët u evakuuan gjatë natës, ndërsa pesë prej tyre mbetën të plagosur dhe po trajtohen në spitale.
Në Dnipro u raportuan tre viktima dhe 34 të plagosur, ndërsa në Zaporizhzhia humbi jetën të paktën një person tjetër.
Ministri Sybiha theksoi se “sulme të tilla nuk mund të normalizohen” dhe i cilësoi ato si krime lufte që duhet të ndalen dhe të ndëshkohen.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, konfirmoi viktima në Odesa, Kiev dhe Dnipro, duke akuzuar Rusinë se “po baston mbi luftën”.
“Edhe një natë tjetër dëshmoi se Rusia nuk meriton asnjë lehtësim të politikave globale apo heqje të sanksioneve,” u shpreh ai.
Zelensky ndodhej këtë javë në Romë, ku zhvilloi takime me liderët italianë, përfshirë presidentin Sergio Mattarella dhe ministrin e Mbrojtjes Guido Crosetto, me të cilët diskutoi bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Sulmet vijnë pas një armëpushimi të shkurtër javën e kaluar, kur presidenti rus Vladimir Putin shpalli një ndalim 32-orësh të luftimeve me rastin e Pashkëve Ortodokse, pas një propozimi të mëhershëm nga pala ukrainase.