Transporti urban rikthehet në normalitet, arrihet marrëveshja për subvencionimin e naftës

Shërbimi i transportit urban në vend do t’i rikthehet normalitetit pas arritjes së një marrëveshjeje mes institucioneve qeveritare dhe operatorëve të transportit publik. Vendimi u mor pas një takimi që nisi në orët e para të mëngjesit, ku morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe pushtetit vendor.

Sipas marrëveshjes, operatorët e transportit publik do të përfitojnë subvencion për naftën, ndërsa vlera konkrete e kompensimit për litër pritet të përcaktohet në ditët në vijim.

Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Ndërqytetës, Dashnor Memaj, bëri të ditur se palët ranë dakord për rikthimin e menjëhershëm të shërbimit me kapacitet të plotë.

“Transporti do të vijojë normalisht që nga sot, me kapacitet të plotë. Operatorët janë të interesuar të ofrojnë shërbim cilësor, sidomos pas situatës së krijuar në dy ditët e fundit,” u shpreh Memaj.

Ai shtoi se diskutimet mes palëve do të vijojnë edhe javën e ardhshme, ku në fokus do të jenë kërkesa të tjera të operatorëve, si rishikimi i TVSH-së, akcizës dhe kategorive që përfitojnë transport falas.