Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj deklaroi se deputeti Erald Kapri ka thyer një rekord, është paditur për shpifje që në vitin e parë si deputet, referuar padisë për shpifje që Bashkim Ulaj i ka bërë të dyve për akuzat mbi ndërtimet në Rrjoll.
Shehaj dhe Kapri janë të vetmit deputetë që kanë dalë hapur në krah të banorëve të Rrjollit dhe kjo ka sjellë edhe padinë e biznesmenit Ulaj. Por sipas Shehajt, asgjë nuk do i ndalë nga thënia e të vërtetës.
“Nuk ka padi të korruptuarish dhe oligarkësh që na ndal nga e vërteta”, thekson Shehaj.
Nga Brukseli, Shehaj thekson se Kapri si deputet e ka marrë shpejt padinë për shpifje, sepse atij i janë dashur pesë apo gjashtë vite që të paditej.
Sipas deputetit Kapri, ndërsa Shehaj është paditur nga Damian Gjiknuri, ai është paditur nga një oligark.
Kryetari i Mundësia, Shehaj bëri publike pak ditë më parë faktin se biznesmeni Bashkim Ulaj i ka paditur deputetin Shehaj dhe Kapri lidhur me deklaratat e tyre në mbrojtje të banorëve të Rrjollit, të cilët protestojnë prej mbi dy muajsh për të drejtat e tyre rreth pronësisë së tokave ku biznesmeni po ndërton një resort.
Partia Mundësia është rreshtuar krah banorëve të Rrjollit dhe i mbështet ata për kauzën e tyre të drejtë me pronat.