Kompania “ONE” ka vendosur rritjen e tarifave për klientët e saj duke nisur nga data 1 Maj.
Kompania, përmes një mesazhi standard dërguar abonentëve të saj, i njoftonte se çmimet do të rriteshin deri në 2.2%, mbi tarifën standarde të planit të tyre aktual, bazuar në ndryshimin mesatar vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit (ICK) të publikuar nga Instituti i Statistikave, INSTAT.
“I nderuar Pajtimtar! ONE Albania ju njofton se me efekt nga data 1 Maj 2026, do të përshtatë tarifat për shërbimet celulare bazuar në ndryshimin mesatar vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit (ICK) të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), në nivelin jo më shumë se 2.2% mbi tarifën standarde të planit Tuaj tarifor. Kjo përshtatje kryhet ne përputhje me kushtet e kontratës së pajtimit. Ju mund të gjeni në këtë link https://rb.gy/uh8ixt tarifën e përditësuar të planit tuaj tarifor. Për më shumë info, ju lutem kontaktoni 123. Faleminderit”- thuhej në njoftimin që kompania u ka dërguar klientëve të saj.
Për qytetarët, ky është një abuzim, ndërsa janë shprehur se rritjen e tarifave e shohin si barrë shtesë në një periudhë ku kostot e jetesës janë rritur.
Shumë prej tyre kanë reaguar në rrjete sociale, por edhe për mediat duke thënë se do të ndryshojnë kompani, pasi nuk e përballojnë dot. Po ashtu ata shprehen të pakënaqur nga shërbimet e kompanisë “ONE”, krahas edhe çmimeve të larta, mungesës së transparences dhe vonesave në trajtimin e ankesave.