Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka ngritur shqetësimin në Kuvendin e Shqipërisë lidhur me vendimin që pritet të marrë Gjykata e Lartë këtë të enjte, lidhur me masat e paraburgimit.
Sipas Shehajt, Gjykata e Lartë me urdhër të kryeministrit Edi Rama po tenton të nxjerrë nga burgu zyrtarët e lartë të akuzuar për korrupsion.
Shehaj në fjalën e tij nënvizoi gjithashtu se kjo nismë është një alarm se zyrtarë të tjerë që janë në hetim aktualisht nga SPAK mund të shpëtojnë nga arrestimi
“Sot me urdhër të Edi Ramës është mbledhur Kolegji i Bashkuar i Gjykatës së Lartë për të nxjerrë nga burgu të akuzuarit për korrupsion ose për të shpëtuar nga burgu ata që sot janë në hetim”, tha Shehaj.
Në fjalën e tij, kreu i Mundësia tha se mazhoranca nuk do t’ja arrijë qëllimit të shmangë llogaridhënien para qytetarëve shqiptarë për rastet e korrupsionit.