Shpërthim me tritol në banesën e administratorit të Qesaratit në Memaliaj, autorët djegin “Range Rover-in” dhe largohen me këmbë

Një lëndë plasëse ka shpërthyer në banesën e një 67-vjeçari në fshatin Toç të Memaliajt. Raportohet se lënda plasëse është vendosur në oborrin e banesës së Butjan Kapajt, administrator i Njësisë Qesarat.

Ky i fundit ka thënë për mediat se nuk ka asnjë konflikt.

Sipas informacioneve, nga shpërthimi ka patur vetëm dëme materiale. Ndërkohë pas ngjarjes, autorët e ngjarjes kanë djegur automjetin tip “Range Rover” në fshatin Qesarat dhe më pas janë larguar në këmbë.

Policia dhe grupi hetimor po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Memaliaj/Informacion paraprak

Më datë 06.04.2026, rreth orës 00:10, në oborrin e banesës së shtetasit B. K., 67 vjeç, në fshatin Toç, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Autori/autorët, gjatë largimit, në aksin rrugor “Krahës–Memaliaj”, në afërsi të fshatit Qesarat, dyshohet se kanë djegur automjetin me të cilin lëviznin dhe më pas janë larguar në këmbë.

Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollin e zonës për lokalizimin dhe kapjen e autorit/autorëve.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon intensivisht veprimet hetimore për sqarimin dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.