Astronautët e misionit Artemis II tashmë konsiderohen pionierë të një epoke të re të eksplorimit hënor. Tani ata janë drejt vendosjes së një rekordi të ri për distancën më të madhe të arritur nga njerëzit larg Tokës.
Të nisur javën e kaluar në udhëtimin e parë të njerëzimit drejt Hënës që nga viti 1972, tre astronautë amerikanë dhe një kanadez po synojnë të tejkalojnë rekordin e vendosur nga Apollo 13. Ata pritet të bëhen njerëzit që do të arrijnë distancën më të largët nga planeti ynë, ndërsa do të kryejnë një fluturim rreth Hënës pa u ulur dhe më pas do të kthehen në Tokë.
Fluturimi rreth Hënës, që zgjat rreth gjashtë orë, pritet të ofrojë pamje të rralla të anës së largët të saj – zona që nuk janë parë qartë nga astronautët e misioneve Apollo. Gjithashtu, ekuipazhi do të përjetojë një eklips total diellor, teksa Hëna do të bllokojë Diellin dhe do të zbulojë koronën e tij ndriçuese.
“Do të kemi mundësi ta vëzhgojmë Hënën nga afër, ta hartojmë dhe më pas të vazhdojmë përpara me misione edhe më të mëdha,” tha drejtori i fluturimit, Judd Frieling. Qëllimi afatgjatë i NASA-s është ndërtimi i një baze në Hënë, e pajisur me module uljeje, roverë, dronë dhe habitate.
Misioni Artemis II ndjek një trajektore të ngjashme me atë të Apollo 13. Në vitin 1970, ky i fundit nuk arriti të realizonte uljen në Hënë për shkak të një defekti në një rezervuar oksigjeni, duke u kthyer në Tokë falë një manovre emergjente që shfrytëzoi gravitetin e Tokës dhe Hënës. Ky mision u cilësua më pas si “dështimi më i suksesshëm” i NASA-s.
Astronautët e Apollo 13 arritën një distancë maksimale prej 248,655 miljesh (rreth 400 mijë kilometra) nga Toka. Ndërkohë, Artemis II pritet ta tejkalojë këtë rekord me rreth 6,400 kilometra.
Gjatë fluturimit, ekuipazhi do të ndahet në çifte për të fotografuar dhe dokumentuar sipërfaqen hënore. Edhe pse data e nisjes nuk siguron ndriçimin optimal të anës së largët të Hënës, shkencëtarët thonë se astronautët do të mund të vëzhgojnë pjesë që nuk janë parë më parë nga njerëzit.
Përveç kamerave profesionale, çdo astronaut ka edhe një telefon për të kapur momente spontane. Ata janë trajnuar për muaj të tërë për të identifikuar tiparet gjeografike të Hënës.
Një nga momentet më të veçanta të misionit do të jetë eklipsi total diellor, i dukshëm vetëm nga kapsula Orion. Astronautët do të kenë mundësi të studiojnë koronën diellore dhe çdo aktivitet të pazakontë gjatë këtij fenomeni.
Gjatë kalimit pas Hënës, kapsula do të humbasë kontaktin me Tokën për rreth 40 minuta – një situatë e njohur edhe nga misionet Apollo. Megjithatë, sipas NASA-s, trajektorja e fluturimit garanton kthimin e sigurt të ekuipazhit.
Pas largimit nga orbita hënore, udhëtimi i kthimit do të zgjasë katër ditë. Kapsula pritet të ulet në Oqeanin Paqësor pranë San Diegos më 10 prill, nëntë ditë pas nisjes nga Florida.
Gjatë kthimit, astronautët do të komunikojnë me ekuipazhin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor, duke shënuar herën e parë që një mision drejt Hënës zhvillohet ndërkohë që ka njerëz të tjerë në orbitë. Ky komunikim do të përfshijë edhe dy pjesëmarrëset e ecjes së parë hapësinore vetëm me gra në vitin 2019.