AKU bllokon 3.9 ton produkte të paetiketuara në Shkozë, gjobë 300 mijë lekë për subjektin “Merja”

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), pas një denoncimi të ardhur nga qytetarët, ka ushtruar kontroll në subjektin “Merja”, ku janë konstatuar shkelje të rënda të sigurisë ushqimore.

Gjatë inspektimit në ambientet e magazinës, inspektorët kanë zbuluar 3,984 kg produkte të miksuara, të përbëra nga bimë të thata të ambalazhuara në thasë plastikë. Sipas AKU-së, këto produkte ishin të paetiketuara dhe pa asnjë informacion të detyrueshëm mbi afatin e përdorimit, origjinën apo përbërjen e tyre.

AKU ka vendosur bllokimin e menjëhershëm të të gjithë sasisë së produkteve të gjetura në magazinë, me qëllim parandalimin e rrezikut për konsumatorët.

Ndaj subjektit “Merja” janë marrë edhe masa administrative: Gjobë prej 200,000 lekësh për mungesë të gjurmueshmërisë së produkteve; Gjobë prej 100,000 lekësh për moszbatim të sistemit të vetkontrollit, përfshirë mungesën e skedave të monitorimit gjatë procesit të miksimit.