Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanit i përfundon sot mandati i saj dhe ia dorëzon këtë detyrë kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Akti ceremonial i dorëzim-pranimit të detyrës do të mbahet në Kabinetin e Presidentes sot në orën 16:00, bëri të ditur zyra e presidentes Osmani.
“Në orën 16:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ia dorëzon detyrën Kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu. Akti ceremonial i dorëzim-pranimit të detyrës do të mbahet në Kabinetin e Presidentes”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Zhvillimet e fundit në Kosovë lidhur me çështjen e presidentit janë karakterizuar nga një ngërç i thellë politik.
Kuvendi në seancën e caktuar për presidentin nuk arriti ta zgjedh në mungesë të kuorumit, ndërkaq seanca është ndërprerë.
Situata u përshkallëzua më tej pasi presidentja Vjosa Osmani shpërndau Kuvendin dhe paralajmëroi zgjedhje të jashtëzakonshme, vendim që u kontestua dhe u dërgua në Gjykatën Kushtetuese.
Osmani u zgjodh presidente më 4 prill 2021 nga Kuvendi i Kosovës me 71 vota në raundin e tretë të votimit, ku morën pjesë 82 deputetë. Në këtë raund, 11 vota ishin të pavlefshme, ndërsa kandidati tjetër, Nasuf Bejta, nuk mori asnjë votë.