Procesi integrues i Shqipërisë drejt Bashkimi Europian ka hyrë në një moment delikat, mes rritjes së dyshimeve politike mbi progresin e reformave kyçe.
Vendimi i shumicës socialiste në seancën e 12 Marsit në Kuvend, ku PS rrëzoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Balluku, ishte një veprim që u konsiderua si sinjal problematik për pavarësinë e drejtësisë, dhe kjo ka ka ndikuar negativisht në klimën e besimit në Bruksel.
Ky vendim i marrë nga mazhoranca e drejtuar nga Edi Rama, duket se ka kaluar tashmë nga një debat i brendshëm politik në një çështje që po diskutohet në nivelet më të larta të Bashkimit Europian, si një test për funksionimin real të reformës në drejtësi.
Burime për Lapsi.al bëjnë me dije se çështja është trajtuar më 1 prill në COELA, grupi i punës i Këshilli i Bashkimit Europian që merret me procesin e zgjerimit. Në këtë mbledhje, përfaqësues të nëntë shteteve anëtare kanë ngritur një sërë shqetësimesh që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në ecurinë e negociatave.
Diskutimet janë përqendruar në raportin IBAR, instrumenti teknik që vlerëson nëse një vend kandidat ka përmbushur standardet ndërmjetëse për të avancuar në negociata, veçanërisht në Grupkapitullin 1, i cili përfshin shtetin e së drejtës, drejtësinë dhe institucionet demokratike. Ky raport konsiderohet një filtër kyç: pa kaluar këtë fazë, kapitujt nuk mund të mbyllen dhe procesi mbetet i bllokuar.
Në këtë kontekst, Komisioni Europian ka mbajtur një qëndrim teknikisht pozitiv, duke argumentuar se Shqipëria ka bërë progres të mjaftueshëm për të avancuar. Gjatë diskutimeve, Komisioni ka dhënë përgjigje për dhjetëra pyetje të ngritura nga shtetet anëtare, duke mbrojtur vlerësimin e tij.
Megjithatë, sipas të njëjtave burime, ky vlerësim teknik nuk po përkthehet në një konsensus politik. Një grup prej nëntë shtetesh: Gjermania, Luksemburgu, Holanda, Suedia, Austria, Finlanda, Polonia, Greqia dhe Bullgaria, vijojnë të mbajnë rezerva për t’i dhënë “dritën jeshile” Shqipërisë.
Shqetësimet e tyre janë të ndryshme dhe prekin fusha të ndjeshme: nga klima e biznesit dhe lufta kundër korrupsionit, te të drejtat e pronësisë dhe trajtimi i pakicave kombëtare. Në disa raste janë kërkuar edhe sqarime shtesë, çfarë tregon mungesën e besimit të plotë në progresin e raportuar.
Nga ana tjetër, disa vende si Estonia, Spanja dhe Italia janë shfaqur më mbështetëse, duke theksuar nevojën për të mos e zvarritur pafundësisht procesin dhe për të ofruar më shumë qartësi për Shqipërinë.
Në ditët në vijim, procesi pritet të hyjë në një tjetër fazë diskutimesh. Një takim i radhës në COELA është planifikuar për 7 prill, ku shtetet anëtare do të kërkojnë sqarime të mëtejshme nga Komisioni Europian. Më pas, më 9 prill, pritet të hidhet në tryezë një draft i ri i pozicionit të përbashkët.
Kjo situatë nënkupton më shumë pyetje, më shumë kushte dhe më shumë verifikime për Shqipërinë. Në thelb, dilema qëndron përtej aspekteve teknike: nëse shteti i së drejtës funksionon realisht në vend, apo mbetet i ndikuar nga vendimmarrja politike. Përgjigjja ndaj kësaj çështjeje pritet të përcaktojë edhe ritmin e mëtejshëm të integrimit europian të vendit.