Katër astronautët e misionit Artemis II kanë lënë tashmë orbitën e Tokës, pasi anija e tyre Orion aktivizoi motorin kryesor për shtytjen përfundimtare drejt Hënës.
Djegia e motorit, që zgjati pesë minuta e 55 sekonda dhe njihet si “translunar injection” (TLI), u realizua pa asnjë problem, bëri të ditur përfaqësuesja e NASA-s, Dr. Lori Glaze.
Nga kapsula Orion, astronauti kanadez Jeremy Hansen deklaroi se ekuipazhi ndihet shumë mirë gjatë udhëtimit drejt Hënës.
Misioni Artemis II tashmë ndodhet në një trajektore rrethore që do ta çojë ekuipazhin përreth anës së largët të Hënës dhe më pas do t’i rikthejë në Tokë. Ky është rasti i parë që nga viti 1972 që njerëzit udhëtojnë përtej orbitës së Tokës.
Pamjet direkte nga Orion tregojnë Tokën duke u zvogëluar gradualisht, teksa anija depërton gjithnjë e më thellë në hapësirë.
Hansen, i cili është jo-amerikani i parë që udhëton drejt Hënës, tha për kontrollin e misionit se ekuipazhi “ndjeu fuqinë” e të gjithë atyre që kanë punuar për këtë mision.
“Njerëzimi ka treguar edhe një herë se çfarë është i aftë të bëjë. Janë shpresat tuaja për të ardhmen që na çojnë përpara në këtë udhëtim rreth Hënës,” u shpreh ai.
Para nisjes përfundimtare, Orion kaloi rreth një ditë në një orbitë të lartë të Tokës, ku u testuan sistemet e motorit, navigimit dhe mbështetjes së jetës.
Pas miratimit final, motori kryesor u aktivizua, duke i dhënë anijes një shtytje të fuqishme dhe duke rritur ndjeshëm shpejtësinë e saj.
Kjo manovër pritet ta çojë ekuipazhin më larg nga Toka se kurrë më parë, mbi 7,600 kilometra përtej Hënës, përpara se graviteti ta rikthejë sërish drejt planetit tonë. Sipas NASA-s, ky rekord mund të tejkalojë atë të vendosur nga Apollo 13 në vitin 1970.
Në konferencën e parë publike pas nisjes, komandanti Reid Wiseman e përshkroi pamjen nga hapësira si spektakolare.
“Mund të shihni gjithë globin nga poli në pol… ishte një moment që na la pa fjalë të katërve,” tha ai.
Megjithatë, manovra TLI nuk konsiderohet si pikë pa kthim. Në rast emergjence, kontrollorët mund ta kthejnë anijen drejt Tokës, madje kjo është mënyra më e shpejtë për t’u rikthyer brenda 36 orëve të para.
Menaxheri i programit Orion, Howard Hu, deklaroi se janë realizuar qindra mijëra simulime për të garantuar kthimin e sigurt të ekuipazhit.
“Kanë qenë disa ditë fantastike,” u shpreh ai pas realizimit të suksesshëm të manovrës.
Ndërsa Orion avancon në hapësirën e thellë, pamjet pritet të bëhen edhe më mbresëlënëse: Toka do të shndërrohet në një pikë të vogël blu, ndërsa Hëna do të zmadhohet duke zbuluar sipërfaqen e saj të kraterizuar.
Rreth ditës së gjashtë të misionit, ekuipazhi pritet të përjetojë edhe një eklips total diellor, kur Hëna do të mbulojë plotësisht Diellin, duke zbuluar kurorën e tij të ndritshme.
Ky moment pritet të jetë një nga kulmet e misionit, i cili po konsiderohet si një hap i madh drejt rikthimit të njerëzimit në sipërfaqen e Hënës.