Këngëtarja Rubensa Haxhia, e njohur me emrin e artit Enca, është arrestuar nga policia pasi në banesë i është gjetur lëndë narkotike.
Policia njofton se 27 vjeçarja kishte mbjellë kanabis në vazo, në ballkonin e banesës së saj në Lundër.
Lënda narkotike është sekuestruar nga policia, ndërsa këngëtarja është shoqëruar në komisariat. Ajo ka dekalruar se kanabisin e kishte mbjellë për përdorim vetjak.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Balcony”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike. Kishte kultivuar bimë narkotike, në vazo, në ballkonin e banesës së saj, vihet në pranga 27-vjeçarja.
Sekuestrohen bimët narkotike. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetase kishte kultivuar bimë narkotike, në ballkonin e banesës së saj, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Balcony”.
Si rezultat i këtij operacioni u vu në pranga shtetasja R. H., 27 vjeçe, banuese në Lundër. Gjatë kontrollit në banesën e 27-vjeçares, në ballkon, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bimë të dyshuara narkotike kanabis, të kultivuara në vazo. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.