Deputeti Erald Kapri ka reaguar ashpër ndaj ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari lidhur me masat për ndalimin e monopatinave, duke i cilësuar ato si antikushtetuese dhe diskriminuese ndaj të rinjve.
Në fjalën e tij në Kuvend, Kapri u shpreh se prej gjashtë muajsh është marrë një vendim që penalizon qytetarët që përdorin monopatina dhe mjete të tjera elektrike për transport të përditshëm. Ai solli si shembull rastin e një 17-vjeçari, të cilit policia i ka sekuestruar motorin elektrik, duke pretenduar se procedurat janë ndjekur pa transparencë dhe pa respektuar të drejtat e të miturit.
Sipas deputetit, këto masa dëmtojnë sidomos të rinjtë që përdorin mjete elektrike për të shkuar në shkollë apo në punë, shpesh të blera me kredi, duke i konsideruar ato si një alternativë ekonomike ndaj automjeteve.
Kapri akuzoi gjithashtu qeverinë për standard të dyfishtë, duke deklaruar se ndërkohë që ushtrohet presion ndaj përdoruesve të monopatinave, nuk ka të njëjtën qasje ndaj personave që qarkullojnë me automjete luksoze pa justifikuar burimin e të ardhurave.
Ai ngriti dyshime se pas këtyre politikave mund të fshihet një projekt i ri ekonomik që synon kontrollin e tregut të mjeteve elektrike nga interesa të caktuara, duke thënë se në fshehtësi po përgatitet një projekt që ky treg t’i jepet një oligarku të caktuar.
“U bënë 6 muaj që ministria ka marrë vendim antikushtetues që tregon se çfarë përfaqëson qeverisja juaj. Keni vendosur që të gjithë shqiptarët që qarkullojnë me mjete elektrike, duhet të ndalohen dhe të bllokohen të gjitha. Keni shkuar deri aty, kur një nënë më ka shkruar se si djali i mitur 17-vjeçar që i kishin blerë një motor elektrik për të shkuar në shkollë, policia ia mori motorin, e kanë çuar në polici, pa praninë e një psikologu dhe si dhanë asnjë letër për pronën e tij. Kjo tregon modelin tuaj ndaj këtyre të rinjve që janë në model, që shkojnë në punë me mjete elektrike, që i kanë blerë me kredi, një mjet elektrik do të thotë një makinë me pak. Ju vetëm ua vështirësoni jetën, keni humbur çdo lidhje me realitetin, në vend ti inkurajoni i trajtoni si kriminelë. I gjëmoni adoleshentët sikur janë spaçatorë kokaine. Me të fortët jeni kokëulur ministër. Do kalojnë me dhjetëra makina luksoze të të rinjve që s’justifikojnë burimin, më thoni sa prej tyre i keni thirru në kom dhe i keni kërkuar llogari për burimin e të ardhurave. Ky nuk është model që e tregoni tek të rinjtë e monopatinave. Heshtin, sepse mesa duket po përgatitet tjetër projekt për oligarkun se si ta kapë këtë model në rritje”, tha Kapri.