Gjykata rrëzon masën e pezullimit nga detyra për kreun e IMT-së, Rigers Sheqeri

Gjykata e Tiranës ka rrëzuar sot, masën e sigurimit të pezullimit nga detyra të kreut të IMT-së në Tiranë, Rigers Sheqeri.

Sheqeri u pezullua nga detyra dy ditë më parë, ndërsa Prokuroria e Tiranës e akuzon atë për “shpërdorim detyre”.

Gjatë dëgjimit të palëve dhe verifikimit të kushteve të masës që ishte shpallur në mungesë u konstatua se nuk ekzistonin kushtet.

“Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë u caktuan masat e sigurimit ‘Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik’ për shtetasit E.P. dhe R.Sh nën akuzë për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’ parashikuar nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal. Ndërsa për shtetasin P.C., i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Ndërtim i paligjshëm’, u kërkuan masat e sigurimit ‘Ndalim i daljes jashtë shtetit’ dhe detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore parashikuar nga neni 199/a, prg.3 i Kodit Penal”, ka njoftuar më herët Prokuroria.