Përplasjet në PS, Vëngu: Debatet e brendshme janë normale

Ish-ministri Mbrojtjes, Piro Vëngu ka folur në lidhje me tensionet që u krijuan në mbledhjen e fundit të grupit të Partisë Socialiste, mes Elisa Spiropalit dhe ministres Erjona Ismaili, ku ndërhyri edhe kryeministri Rama duke iu drejtuar deputetes “mos më detyro të të nxjerr jashtë

I ftuar në emisionin Quo Vadis, Vëngu i cilësoi debatet në parti, si periferike përballë problemeve të vërteta që shoqërojnë shqiptarët, mes tyre rritja e çmimeve, nafta etj,

Sipas Vëngut, debatet e brendshme janë normale teksa shtoi se “hatërmbetjet janë luks që nuk i kemi”.

“Debatet e brendshme janë normale. Skam asnjë koment për znj. Spiropali, pasi e konsideroj një çështje të pikëpamjes së saj personale.

Sikundër nuk kam asnjë koment për deklaratën e kolegut Braçe për t’u ofruar si kandidat për Tiranën. Nuk ka asgjë të pazakontë që dikush në politikë të jetë i gatshëm për të kandiduar.

Në kontekstin e sfidave aktuale, çfarë është më e rëndësishme për publikun? Ku u ul dikush dhe çfarë tha, apo çfarë punësh po bëhen për qytetarët?

Janë më të rëndësishme rritja e çmimeve, nafta, ndikimi i zhvillimeve ndërkombëtare në jetën e përditshme, apo kush është ulur në karrigen e ministrit në mënyrë të përsëritur?

Prandaj e konsideroj të pavend zhvendosjen e mbulimit mediatik tek detaje periferike”- u shpreh mes të tjerash ai.