Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm kanë mbetur pa sistem pas sulmit kibernetik të kryer nga “Homeland Justice”.
Sulmi ndodhi një ditë më parë, ndërsa Prokuroria në një reagim zyrtar njoftoi se nga verifikimet e kryera nga eskpertet e sigurisë së IT-së nuk janë konstatuar gjurmë kompromentuese.
“Për shkak të interesit në lidhje me hackerimin e mundshëm të faqes zyrtare së Prokurorise së Pergjithshme, ju bëj me dije se nga verifikimet e kryera nga eskpertet e sigurisë së IT-së nuk janë konstatuar gjurmë kompromentuese deri në momentin që flasim në formën hackerimit. Stafet tona të IT-së janë duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën”, tha Prokuroria.
“Homeland Justice” thanë se sulmuan edhe sistemin e Gjykatës së Lartë, por kjo e fundit e mohoi.
“Në lidhje me interesimin tuaj, ju bëjmë me dije se Gjykata e Lartë nuk ka pësuar sulm kibernetik. Sipas pretendimeve të Homeland Justice, grupit në Telegram, faqja gjykata.gov.al, e cila është në menaxhimin e plotë të KLGj-së, ka pësuar sulm kibernetik. Ky sulm nuk ka asnjë lidhje me sistemin e brendshëm apo faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë”, njoftoi Gjykata.