Dy anëtarët e përjashtuar nga Partia Demokratike dega Durrës, Dritan Burgija dhe Arlind Boshku, kanë shkuar ditën e sotme në selinë qendrore të PD-së në Tiranë.
Ata kanë kërkuar ballafaqim me kryedemokratin Sali Berisha, pasi thonë se vendimi i marrë ndaj tyre është i padrejtë.
Dritan Bugija tha se kërkon dinjitetin e tij, siç kërkonte në vitin 2021 dinjitetin e Berishës, kur ky i fundit u përjashtua nga Lulzim Basha.
“Duam shpjegime për përjashtimin tim dhe Arlind Boshkut, kolegut tim. Isha edhe në 2021 para jush për të njëjtën gjë pasi në atë kohë dilja dhe kërkoja dinjitetin e zotit Berisha pasi u përjashtua nga lidershipi i asaj kohe. Sot kërkoj dinjitetin tim. Nuk është çështje pozicionesh po dinjiteti. Çdo rresht i vendimit është anti statutor. Ka kërkuar ballafaqim me lidershipin këtu dhe fakte e prova që çuan në shkarkimin tim. Theksoj duam një ballafaqim me zotin Berisha, janë akuza shumë të rënda për mua dhe kolegun tim. Nuk kemi bashkëpunuar me PS, është gënjeshtër shumë e madhe. Parkimi është pronë private dhe unë jam pjesëtar. Shumë mirë që më pyetet, se ka qarkulluar nën zë kjo gjëja. Unë do ju vë në dispozicion certifikatën e pronësisë që unë jam pronar. Nëse është ky shkaku kanë gabuar rëndë.”, tha Burgija.