Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit kanë paralajmëruar se mund të ndërmarrin sulme hakmarrëse ndaj kampeve universitare amerikane në Lindjen e Mesme, duke pretenduar se sulmet e fundit nga SHBA dhe Izraeli kanë dëmtuar dy universitete iraniane.
Sipas një deklarate të publikuar fillimisht nga agjencia e lajmeve Fars, e afërt me Gardën Revolucionare, dhe të shpërndarë më pas nga media të tjera, kampuset e lidhura me SHBA-në në rajon mund të konsiderohen “objektiva legjitime” nëse Uashingtoni nuk dënon zyrtarisht sulmet ndaj universiteteve iraniane deri në mesditën e së hënës.
Në deklaratë u bëhet thirrje stafit akademik, studentëve dhe banorëve përreth që të qëndrojnë të paktën një kilometër larg këtyre kampeve.
Disa universitete amerikane kanë degë në vendet e Gjirit Persik, përfshirë Universitetin Texas A&M në Katar dhe Universitetin e Nju Jorkut në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ndërkohë, Teherani u godit nga sulme gjatë natës mes së premtes dhe së shtunës, përfshirë Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë në verilindje të kryeqytetit. Sipas raportimeve mediatike, sulmet shkaktuan dëme materiale në ndërtesa, por nuk pati viktima.