Situata në Partinë Socialiste nuk ëhstë aspak e qetë, dhe kjo u vërtetua gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar dje, ku pati përplasje mes kryeministrit Rama dhe deputetes Elisa Spiropali.
Por, pas çështjes Balluku dhe përplasjes Rama-Spiropali, socialistëve u ka dalë një tjetër problem, pasi Erion Braçe ka dalë hapur kundër kandidaturës së Ogerta Manastirliut për Bashkinë e Tiranës, në zgjedhjet që do të zhvillohen vitin e ardhshëm.
Ai ka marrë fjalën në mbledhjen e djeshme dhe ka shpallur kandidaturën për Bashkinë e Tiranës. Madje, ka deklaruar se nëse nuk do të ketë mbështetjen nga PS zyrtare, do të garojë si kandidat i pavarur.
“Siç e kuptuat dhe vetë kjo situatë nuk mund të jetë më e tillë. Nuk gjejnë zgjidhje problemet që kanë socialistët e ka nevojë për një organizim ndryshe. Ndaj në këtë situatë unë do dal të kërkoj mbështetjen e socialistëve jo vetëm të njësisë 5, por në gjithë Tiranën dhe nëse nuk do të jem kandidat zyrtar i PS, do të shpall kandidaturën si kandidat i pavarur për kryetar bashkie në Tiranë”, mësohet të ketë thënë Braçe në mbledhje.
Tashmë kryeministrit Rama do t’i duhet të marrë një vendim se cilin kandidat do të mbështesë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, pasi në rast kandidimi të Erion Braçes si kandidat i pavarur, PS rrezikon shumë të dalë e humbur, për shkak të përçarjes së votave.