Marrëdhënia e Elisa Spiropali me kryeministrin Edi Rama duket se ka prekur fundin, sidomos pas përplasjes së fortë ditën e djeshme në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
Në një postim në rrjetet sociale, deputetja socialiste u ka uruar qytetarëve një të diel të bukur, teksa mesazhi i saj duket si një thumb për kryeministrin Rama apo edhe ish-zëvendësen e tij, Belinda Balluku, me të cilën Spiropali nuk ka aspak marrëdhënie të mira.
“Të dielë të bukur! Mbaje fytyrën nga drita dhe hijet mbeten pas”, shkruan ish-ministrja socialiste.
Çfarë ndodhi dje në mbledhjen e grupit të PS?
Mbledhja me dyer të mbyllura e grupit parlamentar të Partisë Socialiste është shoqëruar me momente tensioni dhe debat mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetes Elisa Spiropali.
Përplasja e parë ndodhi gjatë diskutimeve për çështje të kadastrës, kur Spiropali ndërhyri pas një replike mes një deputeteje dhe përfaqësueses së institucionit, duke sjellë reagimin e Ramës, i cili kërkoi që debati të ndërpritej.
Ndërkohë, në fund të mbledhjes, gjatë prezantimit të strategjisë së komunikimit, tensioni u rikthye. Rama iu drejtua Spiropalit me tone të ashpra duke i thënë: “Do të nxjerr jashtë dhe do të marr masa, mos më provo më”, si dhe “Mos më bëj të flas, se mund të tregoj gjëra që s’të pëlqejnë.
Spiropali i është përgjigjur duke i kërkuar që çdo gjë të thuhet hapur në mbledhje. Debati mes tyre ka zgjatur disa minuta dhe është konsideruar si një nga momentet më të tensionuara të takimit.