Hiqni dorë nga retorika e tepruar dhe superlativat. Lini mënjanë afatet apokaliptike dhe kërcënuese. Dinamika e luftës së Presidentit Donald Trump kundër Iranit sugjeron se ajo ka më shumë gjasa të përfundojë me një shuarje të zbehtë sesa me një shpërthim të madh.
Trump ka rënë në kurthin ku kanë rënë edhe shumë presidentë para tij: iluzioni i një operacioni ushtarak të shpejtë, që sjell ndryshim të qëndrueshëm politik. Por lufta dhe paqja nuk janë kurrë kaq të thjeshta. Ndërsa Trump u jep më shumë kohë negociatorëve të tij për të bërë përparim, skena po përgatitet gjithnjë e më shumë për atë paqartësi gri që zakonisht i jep fund konflikteve: bisedimet.
Udhëheqësit në kohë lufte priren të flasin me absolutizma, dhe Trump ka qenë i prirur t’i përdorë ato. Por ambiciet e tij më madhështore për Iranin ka të ngjarë të mbeten të paarritshme. Ai nuk mund të garantojë që Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore – vetëm të dobësojë dhe të vonojë mundësinë për ta arritur këtë. Po ashtu, ai nuk mund të ndryshojë në mënyrë të përhershme programin raketor iranian, i cili u rindërtua shpejt pas dëmeve të luftës 12-ditore me Izraelin vitin e kaluar.
Nga ana tjetër, edhe Irani nuk do të marrë garancinë që kërkon për përfundimin e përhershëm të të gjitha armiqësive, ndërsa kërkesa e tij për reparacione duket e largët, përtej një lehtësimi të mundshëm të sanksioneve.
Edhe Izraeli nuk do të arrijë të “çarmatosë” Hezbollah-un – një objektiv i shpallur në fillim të konfliktit, por i paarritur prej dekadash, pasi grupi mbetet një forcë politike dhe ushtarake tepër rezistente në Liban. Në fakt, kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se qëllimi ishte “të ndryshohej në mënyrë themelore” situata në Liban – një objektiv dukshëm më i kufizuar. Konflikti mes Izraelit dhe Hezbollah-ut nuk është ndalur kurrë plotësisht dhe mund të vazhdojë, ndoshta me intensitet më të ulët, pavarësisht luftës së Trump kundër Iranit.
Ndërsa afati i vendosur nga Trump për një marrëveshje shtyhet në javën e ardhshme, tregjet mbeten të paqëndrueshme dhe raportimet për opsione të reja ushtarake amerikane shtohen. Megjithatë, Lindja e Mesme vazhdon të përballet me të njëjtat probleme që kishte në fillim të luftës.
Regjimi i ashpër iranian vazhdon të mbajë një kontroll të fortë në Teheran, në Irak përmes aleatëve të tij, dhe në shoqërinë libaneze përmes Hezbollah-ut. Pak forma dhune kanë arritur ta dobësojnë këtë ndikim, që për disa shiitë shihet si mbrojtje apo mbështetje.
Ky rol i Iranit mund të dobësohet përmes ndryshimeve politike dhe ekonomike, jo përmes bombave të rënda apo atentateve të targetuara.
Në Liban është vënë re një ndryshim i caktuar: qeveria libaneze tashmë ndan hapur – të paktën në nivel retorik – objektivin e Izraelit për “çarmatimin” e Hezbollah-ut. Por ajo nuk ka mjetet për ta realizuar këtë, ndërsa militantët e mbështetur nga Irani ruajnë ende monopolin e forcës që qeveria kërkon t’ua marrë. Është shumë më e lehtë të shpallësh një politikë sesa ta zbatosh atë.
Qasja diplomatike e Trump është kaotike dhe mbështetet në krijimin e një realiteti që mund të përputhet – ose jo – me faktet në terren. Megjithatë, mungesa e një lidershipi të qartë në Teheran e ndihmon atë. Irani nuk flet me një zë të vetëm publik, duke i dhënë mundësi Trump të përpiqet të flasë në emër të tij.
Media shtetërore iraniane duket se hodhi poshtë një propozim amerikan me 15 pika, ndërsa Shtëpia e Bardhë më vonë tha se ai nuk ishte plotësisht i saktë. Duke qenë se nuk dihen publikisht vijat e kuqe reale të SHBA-së apo lëshimet që Irani mund të bëjë privatisht, Trump mund të ndërtojë një “fitore” diplomatike sipas dëshirës së tij.
Mjafton që dhuna të ulet disi, tregjet energjetike të stabilizohen dhe ngushtica e Hormuzit të qëndrojë e hapur, që Trump të pretendojë një sukses.
Pavarësisht reagimit të ashpër të Iranit në rajon, sulmet ajrore ndaj qyteteve dhe objektivave ushtarake nuk e kanë shkatërruar atë. Megjithëse ka pësuar humbje të mëdha në lidership dhe strukturë ushtarake, për Iranin një fund i shpejtë i armiqësive është në interes, për sa kohë ruan njëfarë kapaciteti frenues.
Edhe Shtetet e Bashkuara po përballen me kufizime në opsionet ushtarake. Ndërsa janë goditur mijëra objektiva, vlera e tyre ka rënë me kalimin e kohës. Dërgimi i një numri të kufizuar trupash në rajon mjafton për operacione të vogla, por jo për ndërhyrje të mëdha tokësore apo objektiva strategjikë më ambiciozë.
Trump tashmë e përshkruan konfliktin si diçka të kaluar dhe jo si një luftë të madhe. Ai e quan atë një operacion dhe duket se ka kërkuar prej kohësh një rrugëdalje, duke ruajtur njëkohësisht imazhin e forcës.
Në realitet, si Uashingtoni ashtu edhe Teherani ndodhen në një situatë të ngjashme: asnjëra palë nuk mund të tërhiqet e para, por as të fshehë dëmet që ka pësuar.
Të dyja palët kanë nevojë që konflikti të ndalet. Në këtë kontekst, kontrolli i informacionit dhe propaganda luajnë një rol kyç, duke ndihmuar secilën palë të ndërtojë narrativën e saj për një marrëveshje.
Diplomacia nuk ka nevojë të sjellë fitore absolute apo “dorëzim pa kushte” – mjafton një ulje e tensioneve që të lejojë ciklin e shpejtë të lajmeve të kalojë në një temë tjetër.