Departamenti i Thesarit i Donald Trump planifikon të shtojë firmën e tij në të gjitha prerjet e kartëmonedhave amerikane. Kjo do të ishte një risi, pasi valuta në letër e SHBA-së nuk përfshin firmën e presidentit.
Duke filluar nga muaji qershor, firma e Trump mund të shfaqet në të gjitha kartëmonedhat e reja, fillimisht në ato prej 100 dollarësh, e më pas edhe në prerjet e tjera.
Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, e cilësoi këtë vendim si një njohje të “rritjes ekonomike të paprecedentë, dominimit të qëndrueshëm të dollarit dhe forcës fiskale”.
Ky njoftim vjen paralelisht me përpjekjet për të vendosur portretin e Trump në një monedhë, një iniciativë që ka hasur kritika të forta, pasi ligji federal ndalon paraqitjen e një presidenti në detyrë në valutën amerikane.
Ashtu si monedha prej ari 24-karatësh, edhe plani për të përfshirë firmën e Trump në kartëmonedhat e reja synon të nderojë 250-vjetorin e themelimit të Shteteve të Bashkuara.
Michael Bordo, drejtor i Qendrës për Historinë Monetare dhe Financiare në Rutgers, u shpreh se ky vendim do të përballet pa dyshim me kundërshtime politike, por shtoi se nuk është e qartë nëse janë shkelur kufij ligjorë, pasi Sekretari i Thesarit mund të ketë autoritetin për të vendosur se kush firmos në valutë.
Demokratët e kanë kritikuar ashpër këtë veprim. Përfaqësuesja Shontel Brown shkroi në platformën X se plani i Thesarit është “i neveritshëm dhe jo-amerikan”.
Ajo shtoi: “Por të paktën do të na kujtojë kë duhet të falënderojmë kur paguajmë më shumë për karburantin, mallrat dhe ushqimet.”