A shërohen më shpejt policët kur i viziton ministri në spital?

Në protestën e djeshme, ashtu siç ka ndodhur gjatë herëve të fundit, protestuesit goditën me molotov dhe fishekzjarrë në drejtim të godinave, duke lënë të plagosur edhe disa prej efektivëve të policisë.

Por, edhe pas protestës së djeshme, pamë të njëjtën skenë që e kemi parë pas çdo proteste tjetër. Në korridoret e spitalit, ku gjithçka duket perfekte dhe kamerat janë gati për të kapur çdo moment, hyn ministri i Brendshëm, shtrëngon duart me mjekët e më pas me policët e plagosur dhe më pas ikën.

Dje ishte Besfort Lamallari, më parë Albana Koçiu dhe para tyre të tjerë, me të njëjtin skenar.

Nuk ka asnjë dyshim që plagosja e punonjësve të policisë është e papranueshme dhe dhuna ndaj tyre nuk justifikohet në asnjë rrethanë. Ata janë në detyrë, përballë turmave, shpesh në kushte të vështira, dhe çdo sulm ndaj tyre është një vijë e kuqe që nuk duhet kaluar.

Por pyetja është e thjeshtë: çfarë ndryshon realisht për policët e plagosur nga kjo vizitë?

A ulet dhimbja? A shërohen më shpejt? A përmirësohet trajtimi mjekësor sepse në dhomë hyn një ministër? Apo është thjesht një akt propagande, për t’u treguar qytetarëve se si ministri “shqetësohet” për efektivët e policisë?

Sepse nëse do të ishte vërtet për kujdesin ndaj efektivëve, atëherë fokusi do të ishte diku tjetër, te kushtet e punës së policisë.

Madje, nëse do të ishin kaq të shqetësuar për policët sa tregojnë përpara kamerave, do të bënin gjërat bazë që kërkon çdo punonjës: paga më të mira, pagesë në kohë për orët shtesë dhe kushte dinjitoze pune. Nuk do të kishte efektivë që presin për muaj të tërë për të marrë lekët e tyre, dhe as efektivë që kanë vite pa ua ndërruar uniformat, që u kanë dalë ngjyrat e tani s’gjen dy policë të veshur njësoj.

Por në vend të kësaj, kemi një ministër që hyn në spital dhe përdor plagosjen e efektivëve politikisht, duke sulmuar kundërshtarët e partisë së tij, pavarësisht se edhe këta të fundit nuk janë pa faj për atë që ndodhi.

Kjo është arsyeja pse këto vizita duhen parë me dyshim. Jo sepse policët nuk meritojnë vëmendje, por përkundrazi, sepse ata meritojnë shumë më tepër sesa një vizitë propagandistike.

Por, në një vend ku qeveria ka më shumë në fokus propagandën sesa shërbimin ndaj qytetarëve, skena të tilla jemi të detyruar t’i shohim çdo ditë.