Pesë anëtare të kombëtares së futbollit për femra të Iran, të cilat hoqën dorë nga kërkesat për azil në Australi, janë kthyer në vendin e tyre bashkë me pjesën tjetër të ekipit.
Skuadra u fotografua me tuta sportive teksa kalonte kufirin nga Turqia drejt Iranit të mërkurën pasdite, pasi ishte kthyer me avion përmes Malajzisë dhe Omanit.
Disa prej lojtareve kishin kërkuar fillimisht viza humanitare për të qëndruar në Australi, nga frika se mund të përballeshin me pasoja pasi nuk kënduan himnin kombëtar në ndeshjen e parë të Kupës së Azisë. Aktivistët e të drejtave të njeriut kanë deklaruar se ato mund të jenë detyruar të tërhiqen, përmes kërcënimeve ndaj familjeve të tyre.
Skuadra kishte mbërritur në qytetin Igdir në lindje të Turqisë rreth mesditës së së martës. Mediat turke raportuan se pasi kaluan kontrollin kufitar dhe doganor në mbrëmje, lojtaret u shoqëruan nga policia drejt një hoteli.
Tre prej lojtareve që hoqën dorë nga kërkesat për azil janë identifikuar nga aktivistët e diasporës iraniane si Zahra Soltan Meshkehkar, Mona Hamoudi dhe Zahra Sarbali. Mediat shtetërore iraniane raportuan se edhe kapitenia Zahra Ghanbari ishte mes atyre që ndryshuan vendim, ndërsa lojtaria e pestë nuk është bërë ende publike.
Vetëm dy lojtare të tjera, të cilave iu dha mbrojtje, kanë mbetur në Australi si dezertuese.
Shqetësimet për sigurinë e ekipit u rritën pasi në media u publikua një video ku një moderator në televizionin shtetëror i quante lojtaret “tradhtare” dhe kërkonte ndëshkimin e tyre për heshtjen gjatë himnit më 2 mars, pak ditë pasi SHBA dhe Izraeli nisën luftën kundër Iranit.
Në ndeshjet pasuese, lojtaret e kënduan himnin kombëtar, çka ka bërë kritikët të besojnë se ato janë detyruar nga zyrtarët që i shoqëronin gjatë turneut.
Ministri i Brendshëm i Australisë, Tony Burke, konfirmoi më vonë se pesë lojtare që “dëshironin të qëndronin në Australi” ishin dërguar në një vend të sigurt nga policia, nga hoteli ku qëndronin në Gold Coast.
Ai deklaroi se i kishte takuar ato dhe kishte miratuar kërkesat e tyre për viza humanitare rreth orës 01:30, çka do t’u mundësonte të jetonin, punonin dhe studionin në Australi. Sipas raportimeve, disa persona që i shoqëronin kishin tentuar t’i gjenin në hotel, por ato ishin larguar më herët. Më vonë, edhe dy gra të tjera iu bashkuan grupit.
Nga ana tjetër, Ministria iraniane e Sportit deklaroi se kishte mposhtur planet e armikut falë shpirtit kombëtar dhe patriotizmit, ndërsa akuzoi qeverinë australiane se po vepronte në linjë me Donald Trump.