Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar pasi GJKKO kaloi për gjykim dosjen ndaj tij, Monika Kryemadhit dhe tre të pandehurve të tjerë.
Në një postim në rrjetet sociale, Meta, i cili ndodhet prej një viti gjysmë në burg, thotë se, ndonëse gjyqtarja ka pranuar një pjesë të pretendimeve të mbrojtjes lidhur me mungesën e veprimeve hetimore, çështja është dërguar për gjykim në themel.
Sipas Metës, gjyqtarja listoi po ashtu të gjitha veprimet hetimore, që duhen bërë njëkohësisht për zbardhjen e së vërtetës.
“Pra tani nuk do të kemi vetëm gjykim por paralelisht edhe hetim”- shkruan Meta në reagimin e tij, teksa shton se “Përfundimi i seancës paraprake na jep lirinë që të çmontojmë publikisht të gjitha gënjeshtrat, falsifikimet dhe mashtrimet që ndodhen në fashikuj”.
Reagimi i Ilir Metës
Drejtësi me Regji dhe gjykim “me risi”
Dihet se e gjithë Ramaforma ishte një Drejtësi me Regji, për të shtuar korrupsionin në përmasa skizofrenike në Shqipëri, siç e provoi edhe raporti i Transparency International, që faktoi përkeqësimin me 11 vende, krahasuar me një vit më parë.
Sot u shënua edhe një gjykim “me risi”.
Edhe pse gjykatësja konstatoi drejtësinë e shumë pretendimeve tona, me mungesën e qëllimshme të veprimeve hetimore nga akuza për moszbardhjen e së vërtetës, në vend që të kërkonte që të bëheshin këto hetime të domosdoshme, por të shmangura qëllimisht deri tani, vendosi që çështja të kalojë në gjykim, por edhe listoi të gjitha veprimet hetimore, që duhen bërë njëkohësisht për zbardhjen e së vërtetës.
Pra tani nuk do të kemi vetëm gjykim por paralelisht edhe hetim.
Sidoqoftë, duke shprehur keqardhjen që humbëm 6 muaj kohë, edhe pse u dokumentuan shumë gënjeshtra të akuzës gjatë këtij procesi, mezi presim fillimin e gjykimit në themel dhe i ftoj të gjithë gazetarët dhe të gjithë trupin diplomatik në Tiranë që të ndjekin çdo seancë.
Përfundimi i seancës paraprake na jep lirinë që të çmontojmë publikisht të gjitha gënjeshtrat, falsifikimet dhe mashtrimet që ndodhen në fashikuj.
Falenderoj dy avokatët e mi, Kujtim Cakrani dhe Gylsen Zhllima për punën e tyre dhe për pranimin e të gjithë provave të reja nga gjykata, të paraqitura prej tyre, të cilat prokurorët i kishin shmangur qëllimisht.
I paçuditur nga bllokimi recidivist i integrimit europian nga Edi Rama, i cili ka tmerr edhe nga drejtësia e tij.