SHBA pritet të dërgojë më shumë marinsa dhe anije luftarake në Lindjen e Mesme

Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të dislokojnë më shumë marinsa dhe anije luftarake në Lindja e Mesme.

Sipas dy zyrtarëve amerikanë, përforcimet do të vijnë nga një grup amfib dhe njësia e tij ekspedicionare e marinsave. Një nga zyrtarët tha se grupi do të udhëhiqet nga anija sulmuese amfibe USS Tripoli, e cila është e bazuar në Japoni.

Njësia që drejtohet nga USS Tripoli zakonisht përbëhet nga rreth 5 mijë marinsa dhe marinarë të shpërndarë në disa anije luftarake.

Ky zhvillim vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se forcat amerikane kanë “shkatërruar plotësisht” infrastrukturën ushtarake iraniane në Ishullin Kharg, në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë strategjike për transportin global të naftës.

Ndërkohë, sulmet hakmarrëse iraniane që kanë në shënjestër Izraelin dhe bazat ushtarake amerikane në rajon kanë shkaktuar ndërprerje në qendrat kryesore të udhëtimeve ajrore ndërkombëtare dhe kanë rritur ndjeshëm çmimet e naftës.

I pyetur se kur marina amerikane do të fillojë të shoqërojë cisternat e naftës në Ngushticën e Hormuzit, Trump u tha gazetarëve se kjo “do të ndodhë shumë shpejt”.

Sipas raportimeve të The Wall Street Journal, kërkesa për përforcime është bërë nga US Central Command, komanda e ushtrisë amerikane përgjegjëse për Lindjen e Mesme, dhe është miratuar nga sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth.

Ndërkohë, mediat amerikane raportojnë se SHBA po zhvendos gjithashtu pjesë të një sistemi të mbrojtjes raketore nga Koreja e Jugut drejt Lindjes së Mesme.

Tensionet u përshkallëzuan pasi SHBA dhe Izraeli nisën sulme ndaj Iranit më 28 shkurt, ku sipas raportimeve u vra lideri suprem iranian Ali Khamenei.

Lideri i ri suprem i Iranit, 56-vjeçari Mojtaba Khamenei, në një fjalim të parë publik deklaroi se Teherani do të vazhdojë të bllokojë Ngushticën e Hormuzit dhe u zotua për hakmarrje ndaj SHBA-së dhe Izraelit, duke paralajmëruar gjithashtu vendet fqinje që të mos strehojnë baza ushtarake amerikane.