NASA synon fillimin e prillit për misionin Artemis II drejt Hënës

NASA ka njoftuar se po planifikon të nisë në fillim të prillit misionin Artemis II, i cili do të dërgojë astronautë rreth Hënës për herë të parë pas më shumë se gjysmë shekulli.

Fillimisht raketa ishte planifikuar të lëshohej në mars, por pas zbulimit të një rrjedhjeje heliumi ajo u kthye për riparime në Kennedy Space Center Vehicle Assembly Building në Cape Canaveral, në shtetin e Florida.

Sipas NASA-s, problemi është zgjidhur dhe agjencia planifikon ta rikthejë raketën në platformën e nisjes më 19 mars, ndërsa data më e hershme e mundshme për lëshimin është 1 prilli.

Ekuipazhi i misionit përbëhet nga tre astronautë amerikanë, Reid Wiseman, Victor Glover dhe Christina Koch, si dhe astronauti kanadez Jeremy Hansen.

Ata do të jenë njerëzit e parë që do të fluturojnë me raketën gjigante të NASA-s, Space Launch System, dhe me kapsulën hapësinore Orion spacecraft.

Misioni pritet të zgjasë rreth 10 ditë, gjatë të cilave astronautët do të udhëtojnë rreth anës së largët të Hënës, pjesa që nuk shihet nga Toka – dhe më pas do të kthehen në Tokë.

Drejtuesit e NASA-s theksuan se misioni përfshin rreziqe të konsiderueshme dhe se po analizohen të gjitha skenarët e mundshëm për të garantuar sigurinë e ekuipazhit.

Agjencia gjithashtu njoftoi se nuk do të kryejë një tjetër test të quajtur “wet dress rehearsal”, një provë para nisjes ku raketa mbushet me karburant dhe simulohet numërimi mbrapsht.

Misioni Artemis II është përballur me disa vonesa. Ai u shty me rreth dy vite pasi u zbuluan probleme me mburojën termike gjatë misionit të parë Artemis I, i cili udhëtoi drejt Hënës pa astronautë në bord.

Në dhjetor 2024, NASA vendosi si afat që misioni i dytë i programit Artemis të nisej para fundit të prillit 2026, ndërsa drejtuesit e agjencisë thonë se aktualisht janë të fokusuar pikërisht te ky afat.