Mesazhi i fortë i Ambasadës Britanike: Imuniteti të mos jetë pengesë për llogaridhënie, të gjithë të barabartë para ligjit

Ambasada Britanike ka dalë me një mesazh të fortë para seancës së sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë, ku do të votohet kërkesa e SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministres së pandehur Belinda Balluku.

Në mesazhin e saj, Ambasada thotë se imuniteti parlamentar nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie, pasi të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit.

“Ambasada Britanike thekson rëndësinë e ruajtjes së sundimit të ligjit dhe pavarësisë gjyqësore, dhe njeh progresin e Shqipërisë në reformën gjyqësore që nga viti 2016, përfshirë krijimin e SPAK-ut.
Ekzekutivi, Gjyqësori dhe Legjislativi mbeten partnerë të barabartë në mbështetjen e këtij progresi si pjesë e qëllimit të Shqipërisë për arritjen e anëtarësimit në BE.
Ndërsa imuniteti parlamentar duhet të mbrojë proceset demokratike, ai nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit”, thuhet në postim.

Ndërkohë, mazhoranca ka vendosur që të mos e dorëzojë Ballukun para drejtësisë dhe të bëhet mburojë, ndërsa opozita ka nisur protestën para Parlamentit për të kundërshtuar këtë vendim.