Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, zhvilloi një takim me raportuesin për Ballkanin në Bundestagun gjerman, Peter Beyer, ku diskutuan mbi situatën politike në Shqipëri, situatën e drejtësisë dhe zhvillimet e fundit në Kuvend.
Deputeti i Mundësia e informoi raportuesin gjerman për nismën e kësaj force politike për mbledhjen e 100 mijë firmave të qytetarëve shqiptarë në mbështetje të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit. Sipas Kaprit, për Partinë Mundësia drejtësia duhet të mbështetet pa kushte dhe pa kompromis. Ai ndau edhe shqetësimin për sulmet e hapura që, sipas tij, i bëhen drejtësisë nga kryeministri.
“E njoha me nismën tonë për mbledhjen e 100 mijë firmave të qytetarëve shqiptarë në mbështetje të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit. Për ne, drejtësia duhet të mbështetet pa kushte dhe pa kompromis. Ndava gjithashtu shqetësimin për sulmet e hapura që i bëhen asaj nga kryeministri.” – shkruan Kapri në Facebook.
Në takim u diskutua edhe për situatën në Parlament, ku sipas Kaprit shumica po përdor censurën ndaj opozitës. Ai përmendi si shembull përjashtimin për 20 ditë nga punimet e Kuvendit të kryetarit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj. Sipas tij, Shehaj u ndëshkua vetëm sepse denoncoi dhunën policore dhe mbrojti të drejtën e pronës së qytetarëve.
“Gjatë takimit e informova edhe për situatën në Parlament, ku shumica po përdor censurën ndaj opozitës. Përjashtimi për 20 ditë nga punimet e Kuvendit i z. Agron Shehaj është shembulli më i qartë për këtë. U ndëshkua vetëm sepse denoncoi dhunën policore dhe mbrojti të drejtën e pronës” – theksoi Kapri.
Gjatë takimit, Kapri e falënderoi Beyer për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë ndër vite dhe e njohu me vizionin dhe punën e Partisë Mundësia. Kapri theksoi se për Partinë Mundësia bashkëpunimi me Perëndimin mbetet rruga e vetme për zhvillimin e Shqipërisë, duke u bazuar në një ekonomi të lirë, një shtet më të vogël, më shumë mundësi dhe respekt të plotë për të drejtat e qytetarëve.