Partia Socialiste mblodhi dje Grupin Parlamentar, ku mori vendimin për të mos autorizuar kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.
Edi Rama nxori Ulsi Manjan të lexonte ato që ai i kishte thënë të shkruante, vetëm me ndryshimin që ish-ministri i Drejtësisë i kishte paraqitur argumentet juridikisht, për të bindur shqiptarët se SPAK nuk kishte argumente të mjaftueshme për të arrestuar një deputete të pandehur që akuzohet për abuzim me tenderat në vlerë 1.1 miliardë euro.
Qëndrimi i mazhorancës dihej se cili do të ishte, pasi arrestimi i Ballukut mund të sillte pasoja shumë më të rënda për këtë qeveri dhe vetë kryeministrin Rama, ashtu si dhe opozita që e kishte bërë të qartë që në fillim se do ta mbështeste kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e saj.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, kërkoi nga deputetët e mazhorancës që në seancën plenare të 12 Marsit të votojnë kundër kërkesës së SPAK, dhe me siguri që ata do t’i binden, por lind një pyetje: çfarë do të ndodhte nëse deputetët do të votonin vërtet të lirë?
Nëse votimi do të zhvillohej pa presion politik, pa qëndrim të detyrueshëm grupi dhe pa u detyruar të votonin “kundër”, është e vështirë të besohet se të gjithë deputetët socialistë do të kishin votuar në të njëjtën mënyrë.
Edhe pse socialistët shfaqen se janë një parti në unitet, të papërçarë, e vërteta është shumë ndryshe fasadës që shfaqet në media. Brenda çdo shumice parlamentare ekzistojnë gjithmonë qëndrime të ndryshme, sidomos kur ke 13 vite në pushtet me të njëjtët njerëz.
Brenda PS-së ka deputetë që mund të mendojnë se një hetim duhet të zhvillohet pa pengesa politike, ka të tjerë që besojnë se figura publike duhet të përballen me drejtësinë pa mburojën e pushtetit dhe ka edhe nga ata që thjesht nuk duan të mbajnë mbi vete koston politike të një vendimi të tillë.
Pikërisht këtu qëndron edhe thelbi i debatit: frika nga vota e lirë. Sepse një votë e lirë nuk garanton gjithmonë unitet, por nxjerr në pah ndarjet brenda një grupimi politik. Dhe kur bëhet fjalë për një figurë si Belinda Balluku, që ka krijuar shumë “armiq” brenda partisë, rreziku real vinte nga vetë radhët e mazhorancës.
E para që do ta votonte “me të dyja duart” arrestimin e saj do të ishte Elisa Spiropali. Ish-ministrja e Jashtme ishte në momentin e saj më të mirë politik, pasi ishte vendosur në krye të diplomacisë shqiptare në një kohë kur Shqipëria ka hapur gjithë kapitujt me Bashkimin Europian.
Por, siç përflitet brenda PS-së dhe jo vetëm, Belinda Balluku e mori me vete jashtë qeverisë, duke e bërë “viktimën” e saj të radhës, pas Arben Ahmetajt e Erion Veliajt.
Edhe deputetët që janë futur në Kuvend me mbështetjen e Erion Veliajt nuk do të hezitonin të ngrinin kartonin jeshil për arrestimin e ish-zv.kryeministres.
Të vetmit të sigurt se nuk do ta tradhtonin Ballukun janë kryeministri Rama dhe “dishepujt” e saj, deputetët e qarkut të Fierit, që nuk lënë rast ta krahasojnë me “malet” dhe t’i tregojnë se sa sukses ka patur në punën e saj, pavarësisht se akuzohet për abuzime me paratë e shqiptarëve.
Por fatkeqësisht, në politikën shqiptare ka një precedent të qartë, deputetët rrallë dalin kundër linjës zyrtare të partisë. Jo sepse nuk kanë mendim tjetër, por sepse kështu është ndërtuar politika në Shqipëri, e trashëguar nga koha e komunizmit, ku një person i vetëm vendoste për të gjithë.
Prandaj në rastin e Ballukut, vendimi i mazhorancës për të dalë me një qëndrim të unifikuar ishte edhe një mënyrë për të shmangur një situatë të pakontrollueshme politike. Një votim i lirë do të hapte mundësinë që disa deputetë socialistë të votonin pro kërkesës së SPAK.
Pikërisht për këtë arsye, çështja e Ballukut nuk është vetëm një debat mbi një kërkesë të SPAK apo mbi një vendim parlamentar. Ajo është një tregues për mënyrën se si funksionon politika shqiptare.
Dhe në fund, pyetja mbetet po ajo që nisi gjithë këtë debat: nëse deputetët do të votonin vërtet të lirë, a do të ishte rezultati i njëjtë? Apo Belinda Balluku do të rrezikohej më shumë nga të vetët sesa nga opozita?