Pas prezantimit të raportit të PS-së nga Ulsi Manja mbi kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, ku u vendos që PS ta marrë në mbrojtje ish-ministren e pandehur, radhën për të folur e për t’i dalë në mbrojtje Ballukut e ka marrë vetë kryeministri Edi Rama.
Ai e cilësoi kërkesën e SPAK një “masë absurde”, teksa tha se ajo nuk është arrestuar as për korrupsion e as për vjedhje. Madje, Rama hodhi akuza mbi SPAK se e ka përdorur median për të sulmuar publikisht ish-zëvendësen e tij.
Ndaj saj është ngritur një akuzë që në vitin e shkuar jo për vjedhje, jo për korrupsion e gjësendi tjetër të lidhur me një skenë krimi ose flagrancë, por vetëm për dyshimin e arsyeshëm se në cilësinë e ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë ka kryer veprën penale pabarazi në tenderë publike 6 vite më parë, bazuar në disa mesazhe të gjetura vite më vonë në celularin e një ish-drejtori. Mbi këtë fakt krejt të pahetuar asokohe, por si rëndom servirur më parë përmes korrierësh që hyjnë e dalin te kuzhina e Stacionit të Trenit si gjellë qensh në 700 tenxheret e gjyqit publik e mediatik, u vendos fillimisht me një turravrap të pakuptueshëm nga prokurori dhe gjykatësi i seancës pezullimi i anëtares së kabinetit qeveritar. Një masë absurde që siç e kemi shpjeguar, pezulloi funksionin dhe jo personin, prandaj s’ka ndodhur në botë asnjë budallallëk i kësaj natyre.
Njoftim i akuzës në rrugën e shtrembër dhe fatkeqësisht të bërë zakon nga gupet hetimore të Stacionit të Trenit që përdorin mediat si forca paramilitare të fajësimit dhe asgjësimit publik të subjekteve të tyre, mjaftoi që të ngriheshin dallgët e detit të urrejtjes që ziejnë pa pushim në 700 tenxheret e pazarit tonë dhe të mblidhen të tëra retë e fantazive perverse të rrjeteve sociale për të kthyer njeriun në kriminel me 300 vila, 2 jahte, 10 mijë euro solucione magjike për larje makine. Ndërkohë rrugët e ndërtuara në periudhën e drejtimit të saj u shembën nga korrupsion, shiu u derdh me gjyma dhe përmbytjet mbuluan malet e Shqipërisë, deti u bë kos me qenërinë e pazarit politik dhe mediatik dhe erdhi me thirrje histerike jashtëderdhjesh në bulevard”, tha Rama ndër të tjera.
Më pas, kreu i qeverisë tha se uron që Prokuroria e Posaçme të shterojë çdo pistë që mund të çojë te korrupsioni për ato afera që akuzohet Belinda Balluku.
Duhet tu them shqiptarëve se ndryshimin epokal që vazhdon dhe do të vazhdojë në sektorin e infrastrukturës dhe në sektorin energjetik të vendit tonë, nuk e solli koha, as thjeshtë paratë. Para janë harxhuar plot edhe më parë, për rrugët e lëna rrugëve, nuk e solli askush dhe asgjë tjetër përpos votës së tyre për këtë parti, për qeverinë e kësaj partie ku bën pjesë edhe Balluku si anëtarë e kryesisë së PS, si një ndër njerëzit tanë më të votuar dhe më të mbështetur nga zgjedhësit e cila për 6 vite me radhë drejtoi Infrastrukturën duke punuar pa orar, luftuar pa rezervë për të realizuar në afat dhe cilësi objektivat e programit tonë qeverisë në këta dy sektorë që e kanë vuajtur prapambetjen historike. Edhe këtu mes nesh ka disa që mendojnë se fitoret shembullore elektorale të Belindës burojnë nga fuqia e pushtetit që ajo kishte, kjo mbetet për tu parë në zgjedhjet e afërta vendore të Fierit ku ajo do vazhdojë të drejtojë qarkun dhe s’do jetë në asnjë pushtet ekzekutiv. Uroj që në hetimin e çështjes, SPAK të shterojë çdo pistë që mund të çojë tek korrupsioni, sepse në fund të ditës gjithkush pas të 18 varet vetëm nga këmbët e veta me ligj dhe zakon”, tha Rama.