Protesta e parë për grabitjen e pronave, banorët e Rrjollit, Durrësit, Thethit dhe jugut ‘rrethojnë’ Parlamentin

Banorët e Rrjollit, Durrësit, Thethit, Pogradecit, Kombinatit protestuan sot para Kuvendit në mbrojtje të pronës së tyre.

Banorët mbanin në duar pankarta të ndryshme duke kërkuar drejtësi, ndërsa ky tubim u organizua dhe u mbështet nga Partia Mundësia, që edhe në Kuvend ka ngritur këtë shqetësim, duke i kushtuar përjashtimin me 20 ditë të kryetarit të partisë, Agron Shehaj.  

Deputeti i Partisë Mundësia Erald Kapri në fjalën e tij tha se dy të drejta janë themelore, “e drejta për të jetuar të lirë dhe e drejta për pronën. Të dyja sot nuk i kemi”.

“Prona po vidhet ndërsa Policia e Shtetit e Policia private rreh këdo që çohet të kërkojë të drejtën e vet.
Kur dikush i ndershëm ngre zërin në Parlament, Agron Shehaj foli për vjedhjen e pronës dhe e përjashtuan, sepse foli të vërtetën sepse foli për Rrjolin për Durrësin, për Pogradecin.
Por për çfarë të flasësh në këtë vend, për vilën e Enverit apo për banorët që po mbrojnë pronën e tyre?
Sot kjo protestë do jetë zëri i tyre”, u shpreh Kapri.

“Nëse na grabitet prona, çfarë na lidhë më me Shqipërinë?”- u shpreh një prej banoreve të Rrjollit, duke i bërë thirrje Kuvendit që të mos qeshin me dhunën që policia po ushtron ndaj tyre, vetëm sepse kërkojnë të mbrojnë pronën e tyre.

“Nuk ja falim Bashkim Ulajt pronën e fëmijëve tonë”- tha protestuesja.

Një tjetër qytetar tha se kërkojnë të mbrojnë vetëm pronën e tyre, që e kanë të trashëguar.

“Ta harrojnë se do gëzojnë pronën tonë”- u shpreh ai.

Partia Mundësia e konsideron çështjen e pronës si një nga shqetësimet kryesore me të cilën shqiptarët janë përballur në 35 vite dhe që duhet të marrë një zgjidhje përfundimtare.