U përjashtua 20 ditë nga Kuvendi, Shehaj: Nuk ofendova njeri! Tregova si banditë me kapuçë e e shkopa gome rrahin protestuesit

Pasi u përjashtua për 20 ditë nga Sekretariati i Etikës për shkak se ngriti zërin në seancën plenare për dhunën e policisë ndaj banorëve të Rrjollit, Agron Shehaj është prononcuar për gazetarët.

Ai tha se gjatë fjalës së tij në Kuvend nuk kishte ofenduar asnjë, por vetëm kishte folur për shqetësimet e banorëve të Rrjollit,

Shehaj deklaroi se në Kuvend kishte treguar se si njerëz me kapuçë dhe shkopa gome kanë dhunuar banorët e Rrjollit, të cilët kërkojnë vetëm të drejtën për pronat e tyre.

Sipas tij, Policia e Shtetit bën sehir teksa policia private dhunon protestuesin, dhe këto ishin faktet që ai kishte treguar edhe gjatë seancës plenare.

“Unë të hënën bëra atë që duhet të bënte çdo deputet të sjellë në Kuvendin e Shqipërisë zërin e qytetarëve. Ndërkohë në Rrjoll qytetarët po protestojnë se fshati u është rrëmbyer prona, 150 hektarë nga ish drejtori i Hipotekës. Policia bën sehir, dhe policia private, banditë të veshur me kapuç e shkopa gome rrahin protestuesin që mbrojnë pronën e tyre. Për këtë çështje fola, nuk shava e shtyva apo ofendova njeri. U tregova edhe pamjet se mesa duet nuk i kishin parë, ka të moshuar që janë dhunuar deri aty sa iu kanë thyer këmbën,. Një 19 vjeçar është goditur me grushta. Parlamenti është kthyer në mbrojtje të të korruptimeve. Për pronat do të protestojmë dhe sot, në orën 6”, tha Shehaj.