Një efektiv i forcave “Shqiponja” ka mbetur i plagosur gjatë një operacioni për kapjen e një personi shumë të kërkuar në qytetin e Dibër.
Mësohet se efektivi është shtyrë nga personi që ishte shpallur në kërkim, në kohën kur forcat e policisë janë futur në një banesë trekatëshe për ta arrestuar.
Gjatë ndërhyrjes, efektivi i “Shqiponjave”, Gentjan Meda, 40 vjeç, dyshohet se është shtyrë dhe ka rënë nga lartësia.
Meda fillimisht ka marrë ndihmën e parë në spitalin e Peshkopisë, ndërsa më pas është transportuar me helikopter drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.
Ndërkohë Klodian Llomi, në kërkim për Organizatë kriminale”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”, është arrestuar.
Njoftimi i plotë:
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, bazuar edhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore për një shtetas të kërkuar, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja” të DVP Dibër, në orët e para të mëngjesit të sotëm, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Vendimi”.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe të koordinuara, në Maqellarë u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit Klodian Llomi (Mazari)., 35 vjeç, banues në fshatin Kërçisht, Maqellarë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Apelit, ka njohur dënimin e Gjykatës së Apelit të Romës në Itali, ku ka për të vuajtur dënimin e mbetur 6 vite, 7 muaj e 2 ditë burg për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”.
Ndërkohë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, një punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, inspektor G.M., gjatë kapjes së personit në kërkim është rrëzuar nga një mur rrethues, duke pësuar dëmtime trupore.
Punonjësi i policisë është transportuar me helikopter në drejtim të Tiranës, për ndihmë mjekësore më të specializuar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.