17 organizata kërkojnë masë disiplinore nga Kuvendi për Zegjine Çaushin: Përdor gjuhë fyese dhe denigruese ndaj Bardhit

17 organizata të shoqërisë civile kanë kërkuar masë disiplinore për deputeten e Partisë Socialiste, Zegjine Caushi, pas komenteve ne seancën e 19 shkurtit në drejtim të kreut të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi.

Në një letër të përbashkët, organizatata shprehen se në këtë seancë, Caushi përdori gjuhë fyese dhe denigruese ndaj Kryetarit të Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi, duke përdorur shprehje që cenojnë dinjitetin personal dhe bien ndesh me standardet e komunikimit parlamentar të parashikuara në aktet rregullatore të Kuvendit.

Më tej thuhet se “Duke pasur parasysh se kemi të bëhet me një sjellje të përsëritur jo etike parlamentare nga deputetja Zegjine Çaushi, vlerësojmë se masa “Tërheqje e vëmendjes” nuk përbën më një reagim proporcional në raport me natyrën dhe frekuencën e shkeljes. Në zbatim të parimit të proporcionalitetit dhe të përshkallëzimit të masave disiplinore siç parashikohet në Rregulloren e Kuvendit, kërkojmë marrjen e masës disiplinore “Vërejtje”.

Letra Drejtuar:

Byrosë së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, që përbëhet nga:

Niko Peleshi Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë PS

Klodiana Spahiu Zëvendëskryetare e Kuvendit PS

Agron Gjekmarkaj Zëvendëskryetar i Kuvendit PD

Milva Ekonomi Sekretare për Buxhetin PS

Belind Këlliçi Sekretar për Buxhetin PD

Ulsi Manja Sekretar për Procedurat dhe Votimet PS

Flamur Hoxha Sekretar për Statusin e Deputetit PD

Fatmir Xhafaj Sekretar për Kërkimin Parlamentar, Bibliotekën e Botimet Parlamentare PS

Taulant Balla Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë PS

Blendi Klosi Sekretar për Transparencën dhe Teknologjinë e Informacionit PS

Lënda: Kërkesë për konstatimin e shkeljes së Kodit të Sjelljes dhe marrjen e masës disiplinore “Vërejtje”

I nderuar z. Kryetar,

Të nderuar anëtarë të Byrosë,

Kjo shkresë lidhet me zhvillimet e seancës plenare te datës 19 shkurt, gjatë së cilës deputetja Zegjine Caushi përdori gjuhë fyese dhe denigruese ndaj Kryetarit të Grupit Parlamentar, z. Gazment Bardhi, duke përdorur shprehjeve  që cenojnë dinjitetin personal dhe bien ndesh me standardet e komunikimit parlamentar të parashikuara në aktet rregullatore të Kuvendit. Sjellja e mësipërme përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Nenit 6, pika 1, të Kodit të Sjelljes së Deputetit, i cili ndalon rreptësisht përdorimin në Kuvend të gjuhës së pahijshme, fyese ose denigruese, si dhe çdo formë cenimin personal ndaj deputetëve. Gjithashtu, kjo sjellje bie në kundërshtim me  pikës 2 të po këtij neni, që ndalon forma diskriminimi, stereotipizimi apo komunikimi që cenon dinjitetin njerëzor në ushtrimin e mandatit parlamentar.

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë është institucioni më i lartë përfaqësues i qytetarëve, ka detyrimin institucional të garantojë standarde të larta etike në diskursin parlamentar dhe të mbrojë dinjitetin e ushtrimit të mandatit përfaqësues. Debati politik mund të jetë i fortë dhe polemik, megjithatë, ai duhet të zhvillohet brenda kufijve të respektit institucional dhe të përgjegjësisë  publike.

Nga ana tjetër, media ka amplifikuar gjuhën e urrejtjes në Kuvend përmes shpërndarjes së lajmeve me tituj denigrues përmes citimit të drejtpërdrejtë të fjalëve të deputetes Çaushi, duke i riprodhuar ato pa analizë kritike, çka jo vetëm që legjitimon diskursin e gjuhës së urrejtjes, por edhe kontribuon në normalizimin e tij në hapësirën publike.

Duke pasur parasysh se kemi të bëhet me një sjellje të përsëritur jo etike parlamentare nga deputetja Zegjine Çaushi, vlerësojmë se masa “Tërheqje e vëmendjes” nuk përbën më një reagim proporcional në raport me natyrën dhe frekuencën e shkeljes. Në zbatim të parimit të proporcionalitetit dhe të përshkallëzimit të masave disiplinore siç parashikohet në Rregulloren e Kuvendit, kërkojmë marrjen e masës disiplinore “Vërejtje”.

Në këtë kuadër, kërkojmë nga Byroja e Kuvendit:

Konstatimin formal të shkeljes së Nenit 6 të Kodit të Sjelljes së Deputetit;

Vendosjen e masës disiplinore “Vërejtje”, në përputhje me dispozitat e Rregullores së Kuvendit;

Bërjen publike të vendimmarrjes, në funksion të transparencës, institucionale  dhe forcimit të standardeve të etikës parlamentare.

Kjo kërkesë nuk synon kufizimin e debatit politik, por garantimin e kufijve etikë që e bëjnë debatin demokratik, konstruktiv dhe në përputhje me dinjitetin e institucionit të Kuvendit. Kërkojmë nga mediat të luajnë rolin e tyre edukues dhe të raportojnë me përgjegjshmëri, duke mos u bërë jehonë e gjuhës së urrejtjes, por të kontribuojnë në ngritjen e standardeve të komunikimit publik, duke promovuar gjuhë të kujdesshme, analizë të balancuar dhe respekt për vlerat themelore të demokracisë dhe barazisë.

Duam gjithashtu të theksojmë se për ne është e rëndësishme që kërkesa jonë të merret parasysh, ndaj presim brenda 10 ditëve kalendarike pune një përgjigje për masat e marra nga ju mbi shkeljen e Kodit të Sjelljes së Deputetit nga deputetja Zegjine Çaushi, në përputhje me kuadrin rregullator në fuqi.

Me respekt,

Albanian Ëoman in Audiovisual

Organizatat nënshkruese:

Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AËEN)

The Center for Science and Innovation for Development (SCIDEV)

Qendra për Advokim Social

Community Reporters Albania (CRA)

Gender Alliance for Development Centre (GADC)

Aleanca LGBT

Ambasada PINK

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH)

Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA/ECPAT Shqipëri)

Ëestminster Foundation for Democracy (ËFD)

Qendra për Drejtësi Gjinore në Shqipëri

Rrjeti “Barazi në Vendimmarrje”

Qendra psiko-sociale VATRA

Në Dobi të Komunitetit

Citizens.al

Albanian Center for Quality Journalism (ACQJ)