Dhjetëra dosje të FBI-së nga hetimi ndaj pedofilit të ndjerë Jeffrey Epstein duket se mungojnë nga grupi i madh i dokumenteve që Departamenti amerikan i Drejtësisë publikoi muajin e kaluar.
Midis këtyre dokumenteve janë edhe tre intervista me një grua që, dekada më parë, akuzoi për ngacmim seksual presidentin amerikan, Donald Trump.
Sipas analizës së CNN-it, lista e provave e dorëzuar avokatëve të bashkëpunëtores së Epsteinit, Ghislaine Maxwell, përmban numra serial për rreth 325 dosje të FBI-së me intervista dëshmitarësh. Por, duket se më shumë se 90 prej këtyre dosjeve nuk janë publikuar në faqen e Departamentit të Drejtësisë.
Ndër dokumentet që mungojnë janë tre intervista me një grua që FBI-ja thotë se është kontaktuar pasi Epstein e kishte sulmuar seksualisht që kur ajo ishte 13 vjeçe dhe e cila gjithashtu e akuzoi Trumpin për sulm.
Një përfaqësues demokrat në Kongres ka ngritur dyshime mbi mungesën e këtyre dosjeve dhe nëse Departamenti i Drejtësisë ka zbatuar ligjin që kërkon publikimin e materialeve të lidhura me Epsteinin.
Trump ka mohuar çdo lidhje me veprimet e Epsteinit dhe zyrtarë qeveritarë thonë se asnjë dokument i rëndësishëm nuk është fshirë – disa dosje mund të jenë thjesht të rezervuara ose pjesë e hetimeve të vazhdueshme.
Disa nga viktimat e Epsteinit kanë thënë se kanë kërkuar pa sukses dosjet e tyre në publikimin online dhe kritikojnë mungesën e transparencës.