SPAK: Belinda Balluku rrezikon deri në 35 vite burg

Të tjera diskutime janë zbardhur nga mbledhja e Këshillit të Mandateve, ku po diskutohet kërkesa e SPAK për arrestimin e zv.kryeministres së pezulluar Belinda Balluku.

Burime brenda mbledhjes me dyer të mbyllura bëjnë me dije për mediat se prokurori ka deklaruar se Balluku rrezikon deri në 35 vite burg.

“Në situatën kur i kërkuar masa e parë ndaj  znj. Balluku rrezikonte deri në 10 vite burg, sot që flasim situata e saj është rënduar, dhe me akuzat e prokurorisë në këtë moment znj. Balluku rrezikon deri në 35 vite burg. Të njëtën vetër e ka kryer 9 herë. Secila vepër dënohet me 4 vite. Me bashkim dënimesh ky është marzhi i veprës”, mësohet të jetë shprehur prokurori.

Belinda Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur, në 31 tetor 2025 dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “shkeljen e barazisë në tendera e ankande publikë” e kryer në bashkëpunim, në procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe të Unazës së Madhe. Këto dy afera i kanë kushtuar buxhetit të shtetit qindra miliona euro.

Ndërkohë, SPAK ka nisur edhe një hetim pasuror ndaj zv.kryeministres. SPAK ka adresuar disa shkresa në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri për të kërkuar informacione mbi pasurinë e Ballukut, ndërkohë që kanë kërkuar të dhëna edhe në ILDKPI dhe disa institucione të tjera. Gjithashtu një hetim ka nisur edhe për kompanitë që kanë bashkëpunuar me ministren.