Polonia do të minojë kufirin e saj lindor

Pas tërheqjes nga Konventa e Otavës Polonia dëshiron ta mbrojë kufirin e saj lindor me mina kundër njerëzve dhe mina antitanke. “Këto mina janë një nga elementët më të rëndësishëm të strukturës mbrojtëse që po ndërtojmë në krahun lindor të NATO-s, në Poloni,” tha zëvendësministri i Mbrojtjes, Pavel Zalevski. Sipas Zalevskit, vendi i tij duhet të mbrohet nga Rusia, e cila “ka qëllime shumë agresive ndaj fqinjëve të saj”.

E ashtuquajtura Konventa e Otavës është një traktat ndërkombëtar i vitit 1997 që ndalon përdorimin e minave tokësore. Rusia dhe Shtetet e Bashkuara nuk e kanë nënshkruar kurrë këtë marrëveshje.

Mbrojtje në kufijtë me Rusinë dhe Bjellorusinë

Polonia e kishte ratifikuar fillimisht Konventën në vitin 2012 dhe pas kësaj i shkatërroi rezervat e saj të minave. Megjithatë pas fillimit të luftës pushtuese ruse kundër Ukrainës, Polonia njoftoi në vitin 2025 se do të tërhiqet nga marrëveshja, së bashku me Finlandën, Estoninë, Letoninë, Lituaninë dhe Ukrainën.

Zalevski tha se Polonia do të porosisë mina kundër njerëzve dhe mina anti-tankeve nga kompani vendase për të mbrojtur kufirin me rajonin rus të Kaliningradit dhe me Bjellorusinë.

Minat do të vendosen vetëm nëse ekziston një rrezik real i një agresioni rus. Kryeministri Donald Tusk deklaroi se Polonia së shpejti do të jetë në gjendje të minojë kufirin e saj lindor brenda 48 orësh. DW