Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit që të gjithë deputetëve t’u dorëzohet dosja e SPAK për Belinda Ballukun, në mënyrë që të jenë të qartë se për çfarë do votojnë në lidhje me imunitetin e zv.kreministres së pezulluar.
Ai akuzoi mazhorancën se nuk pyet për ligje dhe as për Rregulloren e Kuvendit, por po shtyn pa afat mbledhjen e Këshillit të Mandateve.
Shehaj iu drejtua edhe Taulant Ballës, pasi ky i fundit tha se SPAK nuk kërkon imunitetin e Ballukut, por leje për një masë sigurie. Sipas Shehajt, mazhoranca mund ta quajë “leje” apo si të dojë kërkesën e SPAK, por e vërteta është se prokurorët kërkojnë arrestimin e zv.kryeministres që akuzohet për abuzime me qindra milionë euro.
“Dosja e SPAK duhet t’i shkojë çdo deputetit që të vihet në kushte për të votuar për çështjen e imuniteti. Po jo, kështu duhet bërë kjo punë. Është gjithçka në dorën tuaj zoti kryetar. S’pyesni as për ligje dhe procedura, bëni ça ju do qejfi. Është kërkesë për arrestim, Taulant, duan t’i vënë prangat, shqip. Ju quajeni leje bëjeni si të doni. Ka kërkuese nga SPAK për arrestimin”, tha Shehaj.