Arrestohet në Itali vëllai i deputetes Elda Hoti, 27 vjeçari i akuzuar për trafik droge nga Amerika e Jugut drejt Europës

Është arrestuar në Itali, Markelian Hoti, vëllai i deputetes së Partisë Demokratike, Elda Hoti.

Lajmi bëhet i ditur nga mediat italiane, të cilat shkruajnë se 27 vjeçari u zbulua nga oficerët e policisë në një B&B në Via Giovanni Cicali, në periferi lindore të Romës, ku po qëndronte me të dashurën e tij. Ai u arrestua menjëherë.

Ai dyshohet se kishte rol kyç në një organizatë që trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut. Droga mbërrinte në portin e Anversës dhe më pas transportohej me makina luksoze nga Europa Veriore drejt Dubait.

Pas sekuestrimit të 50 kilogramëve kokainë të fshehura në kontejnerë në portin e Anversës, vëllai i deputetes ishte zhdukur. Në janar ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arrest europian për “organizatë kriminale për trafik narkotikësh”, vepër që parashikon deri në 15 vite burg.

Arrestimi u bë pas një hetimi të koordinuar nga Shërbimi i Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë dhe skuadra e antidrogës në Romë.

Sipas mediave italiane, Hoti kishte qëndruar “në hije”, pasi pronari i strukturës nuk kishte regjistruar të dhënat e tij në sistemin “Alloggiati Web”, duke e bërë praktikisht të padukshëm për autoritetet.