Masakër në një shkollë në Kanada: Të paktën nëntë të vrarë në sulmin më të rëndë ndër dekada

Një qytet i largët malor në Kanada është tronditur nga të shtënat vdekjeprurëse në një shkollë, pasi një person i armatosur vrau të paktën nëntë persona.

Policia bëri të ditur se gjeti gjashtë persona të pajetë dhe dhjetëra të plagosur kur mbërriti në shkollën e mesme në Tumbler Ridge, një qytet me rreth 2,400 banorë në verilindje të British Columbia, të martën pasdite. Një person tjetër ndërroi jetë rrugës për në spital.

Autorja e dyshuar, e cila u gjet e vdekur brenda shkollës me plagë të vetëshkaktuara, besohet se ka vrarë edhe dy persona të tjerë, trupat e të cilëve u zbuluan në një banesë në të njëjtin qytet.

Dy viktima u transportuan me helikopter drejt spitalit në gjendje të rëndë ose kritike për jetën, ndërsa rreth 25 persona të tjerë po merrnin trajtim në një qendër mjekësore lokale.

Në një alarm emergjent të dërguar në telefonat e banorëve, autoritetet e përshkruan të dyshuarën si një grua me flokë ngjyrë kafe, e veshur me fustan. Policia konfirmoi se e njeh identitetin e autores, por nuk dha detaje të tjera dhe nuk sqaroi nëse ajo ishte nxënëse.

Të shtënat masive janë të rralla në Kanada, një vend me ligje shumë më të rrepta për armët krahasuar me Shtetet e Bashkuara. Ngjarje të kësaj përmase në shkolla janë pothuajse të padëgjuara.

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2023, 38% e vrasjeve në Kanada janë kryer me armë zjarri, krahasuar me 76% në SHBA. Po ashtu, pronësia e armëve është dukshëm më e ulët në Kanada, rreth 35 armë për 100 banorë, krahasuar me 121 për 100 banorë në SHBA.

Kjo është masakra e dytë me shumë viktima në British Columbia brenda më pak se një viti, pas sulmit të prillit të kaluar në Vancouver, ku një person përplasi makinën mbi turmën gjatë një festivali, duke vrarë 11 persona.