E treta e vërteta! Gjykata Kushtetuese mblidhet sërish për Ballukun

Gjykata Kushtetuese pritet të dalë sot me një vendim sa i takon ankimimit nga qeveria ndaj vendimit të GJKKO për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres, Belinda Balluku.

Kjo është mbledhja e tretë e Kushtetueses në lidhje me Ballukun, ndërsa në dy mbledhjet e kaluara ata nuk kanë dalë me një vendim, kjo është për shkak të çështjes sensitive, duke kërkuar më shumë kohë.

Mbledhja ka nisur që prej mesditë, ndërsa nuk dihet se kur do të përfundojë.

Belinda Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur, në 31 tetor 2025 dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “shkeljen e barazisë në tendera e ankande publikë” e kryer në bashkëpunim, në procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe të Unazës së Madhe. Këto dy afera i kanë kushtuar buxhetit të shteti rreth 210 milionë euro.

GJKKO e pezulloi nga detyra dhe i sekuestroi pasaportën, duke e ndaluar të dalë jashtë vendit, ndërkohë që ishte Gjykata Kushtetuese pas ankimimit të qeverisë që e riktheu në detyrë, teksa shqyrtimi i plotë i çështjes u bë në 27 Janar, por pa u marrë një vendim.

Ndërkohë, SPAK nuk ka hezituar dhe ka kërkuar të arrestojë Ballukun, pasi e konsideron rrezik për prishjen e provave, argumentim që e dha edhe për pezullimin nga detyra. Tashmë do t’i takojë Kuvendit të marrë vendim, nëse do të pranojë heqjen apo jo të imunitetit të Belinda Ballukut.