Rama debat me Klodiana Lalën për Shoqatën e Prokurorëve, gazetarja: Më në fund pranoi se gënjeu

Kryeministri Edi Rama është përfshirë në një debat me gazetaren Klodiana Lala, pasi kjo e fundit në një postim në Facebook i kujtoi kreut të qeverisë se Shoqata e Prokurorëve është e regjistruar. Ndërkohë më herët Rama në një postim në rrjetin social X, shprehej se kjo shoqatë, e cila reagoi më herët lidhur me sulmet që kreu i qeverisë ka bërë kohët e fundit ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve,  ishte ende e paregjistruar sipas ligjit, por brenda afateve kohore.

Teksa e cilëson Lalën si një zëdhënëse vullnetare të shoqatës së prokurorëve, Rama në një reagim të dytë thotë se ai nuk shkroi se janë ende të paregjistruar, por se janë ende brenda afatit. Rama thotë se regjistrimi i një shoqate nuk mbyllet me gjykatën, por duhet bërë edhe te tatimet.

Reagimi i Ramës:

Një zëdhënës/e vullnetar/e i/e shoqatës së prokurorëve paska thënë se shoqata e re qenkej e regjistruar në gjykatë dhe unë paskesha gënjyer, po në fakt unë nuk shkruajta që s’janë regjistruar në gjykatë

Unë shkruajta, “janë ende të paregjistruar, por janë brenda afatit” – pra s’pata qëllim ta thumboj, po thjesht të ilustroj moshën fare të njomë të shoqatës. Ndërkohë dihet botërisht se regjistrimi i një shoqate nuk mbyllet me gjykatën, po duhet bërë edhe tek tatimet, gjë që ende s’ka ndodhur 

Por halli me zëdhënësit vullnetarë është se e kanë zellin më të madh se sa zëdhënësit institucionalë, ndërkohë që informacionin e kanë si rregull gjysmak, çka i bën lajmës të nxituar të gjysëm të vërtetave – të cilat janë edhe gënjeshtrat më të mëdha.

Por nuk vonoi edhe përgjigjja e gazetares Klodiana Lala, e cila në një reagim të dytë në Facebook, shkruan se kryeministri më në fund pranoi se gënjeu.