Debate në mbledhjen e grupit të PD, një pjesë e deputetëve kundër bojkotit të Reformës Territoriale dhe Zgjedhore

Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike është shoqëruar me debate të forta, ku një pjesë e deputetëve ja dalë kundër bojkotit të Komisioneve për Reformën Territoriale dhe atë Zgjedhore.

Burime për mediat bëjnë me dije se kundër bojkotit kanë dalë deputetët: Bledjon Nallbati, Xhelal Mziu, Oerd Bylykbashi, Ina Zhupa, Tritan Shehu, Bledi Himçi, Enno Bozdo, Luan Baçi dhe Arjan Ndoja., të cilët janë shprehur se pjesëmarrja në Komisione është e nevojshme.

Nuk duhet ta lëmë hapësirën bosh në Komisionin e Reformës Territoriale. Pavarësisht nëse na dëgjojnë apo nuk na dëgjojnë, ne shkojmë për qytetarët dhe interesin publik. Të jemi aty për dëgjesat me ekspertët, për të dhënë zgjidhjet tona, që qytetarët të na dëgjojnë se si e duam ne reformën territoriale t’u shërbejë atyre. Ata do ta kenë më të vështirë të na kundërshtojnë, sepse nuk kanë argumente, por e kanë shumë të lehtë ta kalojnë pa ne, sepse thonë: “Ju nuk ishit”, dhe kështu janë rehat. Unë i kam pyetur qytetarët e zonave te mia dhe me thonë merrni pjese. Ju ftoj dhe te bëni një sondazh do ju dali qe thonë merrni pjese. Votat nuk i kemi, por e kemi zërin tonë aty dhe kjo do të ketë rezonancë si te qytetarët, ashtu edhe te ndërkombëtarët, duke bërë propozime konkrete. Ne duhet të jemi shumёdimensionalë: edhe protestat t’i bëjmë, edhe në reforma të jemi prezentë, edhe analizën, edhe zgjedhjet. Jemi parti me kapacitete njerëzore dhe intelektuale; nuk kemi pse të ndjekim vetëm një rrugë dhe të braktisim të tjerat”, mësohet të ketë thënë Ina Zhupa.

Ndërkohë, kreu i PD-së, Sali Berisha, është shprehur se vendimin përfundimtar do ta marrë Kryesia. Por, nesër Partia Socialiste do t’i dorëzojë Kuvendit kërkesën që të ndryshojë përbërjen e Komisionit, ndaj nuk dihet nëse PD do të ketë më mundësi të jetë ose jo pjesë  e këtyre Komisioneve.