Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen protestës së opozitës, e cila do të mbahet nesër në orën 17:00 para Kryeministrisë.
Në një konferencë për mediat, Berisha nuk ka ndalur akuzat ndja kryeministrit, Edi Rama për të cilin thotë se qëndron në pushtet, duke përdorur çdo mjet të paligjshëm, duke shkelmuar Kushtetutën.
“Nesër është dita e gjykimit të popullit shqiptar për një organizatë kriminale që nuk e ka sot asnjë vend tjetër në Europë”- theksoi Berisha.
“Nesër është prova e madhe, është dita e guximit, e revoltës, e zemërimit, e ngadhënjimit qytetar mbi të keqen më të madhe që ka mbërthyer Shqipërinë, që ka pllakosur këtë vend nga ditët e zeza të diktaturës hoxhiste gjer sot. Nesër qytetarët, populli opozitar i bën gjyqin kryehajdutit të këtij kombi. I bën gjyqin kryeministrit të lidhur kokë e këmbë me vrasës, banditë, trafikantë. I bën gjyqin antishqiptarit më të zi të kohërave që ka përzënë nga ky vend në 10 vite 1 milion e 100 mijë shqiptarë vetëm në hapësirën evropiane, pa llogaritur hapësira të tjera.
Nesër i bën gjyqin një armiku të egër të lirive të shqiptarëve, të votës së tyre.
Një njeriu që qëndron në pushtet duke përdorur çdo mjet të paligjshëm, duke shkelmuar Kushtetutën. Por nesër është dita e gjykimit të popullit shqiptar për një organizatë kriminale që nuk e ka sot asnjë vend tjetër në Europë,” tha Berisha.